Shqipëria

ARRSH, nga 11 marsi plani i ri i menaxhimit të trafikut në Sheshin Shqiponja


Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka bërë me dije të martën se, duke nisur nga data 11 mars, do të vihet në zbatim plani i ri i menaxhimit të trafikut për Lotin 2 dhe Lotin 3 të Unazës së Re “Mbikalimi Pallati me Shigjeta-Rrethrrotullimi Shqiponja” pranë zonës së Ozonit (Astir).

Të gjithë drejtuesit duhet të kenë parasysh se do të ketë një devijim nga rruga “Teodor Keko” drejt rrethrrotullimit të ri pranë zonës së Astirit.

Po ashtu, “Bulevardi Migjeni” nuk do të ketë kalim në rrugën “Teodor Keko”. Do të bllokohet në rrethrrotullimin ekzistues në kryqëzimin me rrugën “Tom Plezha”.

Ndërsa aksesimi për në rrugën “Teodor Keko” do të jetë i mundshëm nëpërmjet rrugës “Engjell Mashi”.

Trafiku i automjeteve, i cili vjen nga rrethrrotullimi Shqiponja do të kalojë me tre korsi. Fillimisht në urën e Lanës për të vazhduar përgjatë rrugës “Teodor Keko”.

ARRSH-ja, në planin e ri, tregon qartë se automjetet mund të marrin daljen në të djathtë në rrugën “Mikel Maruli”.

Rruga “Aleksandri i Madh” do të vazhdojë të jetë e hapur për daljen nga Teodor Keko dhe aksesimin e saj.

Kujtojmë se sheshi Shqiponja ka më shumë se 4 muaj që po rehabilitohet. Po ashtu, ky rehabilitim ka krijuar tension te banorët e kësaj zone, duke i çuar në protesta të ashpra kundër qeverisë. Për të ndaluar shembjen e banesave të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore