Lajme

Arrestohen tre persona të dyshuar për djegien e flamurit serb në Graçanicë


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se janë arrestuar tre persona të dyshuar për djegien e një flamuri të Serbisë në Graqanicë.

Lajmin e ka kumtuar Policia përmes një komunikate për media.

“Pas pranimit të  informatës lidhur me dëmtimin e një flamuri në Graqanicë, që dyshohet të ketë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, policia menjëherë ka nisur një hetim i cili ka rezultuar me  identifikimin dhe arrestimin e  tre personave të dyshuar”, thuhet në komunikatë.

“Ndaj personave të dyshuar: E.B, mashkull, 22 vjeç, Sh.V. mashkull, 22 vjeç dhe E.G, mashkull, 31 vjeç”.

Tutje në komunikatë është theksuar se të njëjtit dyshohen për veprën “asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Nga policia është thënë se hetuesit janë duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në koordinim me prokurorinë përkatëse.

Ndërsa në komunën e Zubin Potokut, është vendosur flamuri i Kosovës, të martën e 30 majit, ku janë duke vazhduar protestat e serbëve lokalë.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, kishte sqaruar për Albanian Post, largimin e përkohshëm të flamurit të Kosovës nga objekti i Komunës së Zubin Potokut.

Në protestën e nisur një ditë më parë në tri komunat veriore të Kosovës, nga qytetarët serbë të cilët nuk po lejojnë kryetarët e rinj të zgjedhur në procesin e jashtëzakonshëm zgjedhorë të 23 prillit, të hyjnë në objektet e komunave për të kryer zyrtarisht detyrën e kryetarit, pati shumë tensione.

Për dallim nga Zubin Potoku e Leposaviqit, në Zveçan, protestuesit ishin më të dhunshëm.

Ata u përleshën me forcat e KFOR-it të cilët po ruanin hyrjen e objektit të komunës, për të mos lënë protestuesit të depërtonin brenda.

Sipas komunikatës për medie nga KFOR-i, 30 ushtarë të këtij misioni ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë, u lënduan nga mjetet e forta të cilat hidheshin mbi ta, tre prej të cilëve janë plagosur me armë zjarri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore