Lajme

Arrestohen dy persona në Kamenicë, dyshohen për blerje të votave


Ilustrim

Policia e Kosovës, ka njoftuar se të dielën e 14 nëntorit gjatë procesit të zgjedhjeve në komunën e Kamenicës, janë arrestuar dy persona pasi që të njëjtit dyshohen për bashkëveprim në blerjen e votave nga qytetarët.

Kështu thuhet në raportin 24 orësh të policisë, ku theksohet se prokuroria ka dërguar në mbajtje dy të dyshuarit.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë nën dyshimin se të njëjtit në bashkë-veprim kanë bërë blerje të votave nga qytetarët në shpërblim të hollave. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.

Ilustrim

Ndërkaq, gjatë të dielës Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se janë raportuar 21 parregullsi gjatë procesit zgjedhor të balotazhit që po mbahet të dielën e 14 nëntorit.

“Bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, deri më tani janë pranuar rreth njëzet e një (21) informacione të ndryshme”, bën të ditur PK-ja.

Tutje, policia bën të ditur edhe raportimet të cilat përmbajnë parregullsi.

“Ndërhyrje në votim (1), fotografim të votimit (5), fjalosje në qendër të votimit (1), grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit (7), blerje e votës (2), kanosje (1), bezdisje e qytetareve (1), falsifikim i dokumentit të bexhit (1), person i dehur në qendër të votimit (1) dhe mosmarrëveshje në qendër të votimit (1) informatë”.

Policia e Kosovës.

Ndërkohë, nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri raste prej tyre.

“Një rast në Junik – Pejë – pengim i procesit të votimit, ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë për prishjen e rendit dhe qetësisë publike por personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe një rast në Vushtrri, falsifikim i dokumentit i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore