Zgjedhjet në Kosovë

Kosovë: 21 raste të dyshimta për parregullsi gjatë procesit zgjedhor


Policia e Kosovës.

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se janë raportuar 21 parregullsi gjatë procesit zgjedhor të balotazhit që po mbahet të dielën e 14 nëntorit.

“Bazuar në informacionet e deritanishme të siguruara nga të gjitha drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës, deri më tani janë pranuar rreth njëzet e një (21) informacione të ndryshme”, bën të ditur PK-ja

Tutje, policia bën të ditur edhe raportimet të cilat përmbajnë parregullsi.

“Ndërhyrje në votim (1), fotografim të votimit (5), fjalosje në qendër të votimit (1), grumbullim të personave në afërsi të qendrave të votimit (7), blerje e votës (2), kanosje (1), bezdisje e qytetareve (1), falsifikim i dokumentit të bexhit (1), person i dehur në qendër të votimit (1) dhe mosmarrëveshje në qendër të votimit (1) informatë”.

Ndërkaq, nga këto 21 informacione të trajtuara, me vendim të prokurorëve kompetent deri më tani janë hapur tri raste prej tyre.

“(1) rast në Junik – Pejë ”Pengim i procesit të votimit” ku një person i dyshuar është ndaluar për 48 orë, (1) rast po ashtu në Junik – Pejë” Prishje e rendit dhe qetësisë publike”ku personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt dhe (1) rast në Vushtrri ”Falsifikim i dokumentit i cili po ashtu ka vazhduar në procedurë të rregullt”.

Zgjedhjet lokale.

Policia e Kosovës, sqaron se është duke mbetur e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit.

“Policia e Kosovës, inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre”.

Që nga ora 07:00 e mëngjesit, në Kosovë janë hapur të gjitha qendrat e votimit në 21 Komuna të Republikës së Kosovës, ku do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore