Lajme

Arrestohen 96 persona e konfiskohen 37 armë vetëm javën e fundit, njofton Policia e Kosovës


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka nxjerrë disa të dhëna statistikore rreth numrit të veturave e lokacioneve të kontrolluara, numrin e përgjithshëm të armëve të konfiskuara dhe numrin e të arrestuarvee nga 8 deri më 14 gusht, kryesisht në qendra urbane me qëllim të ofrimit të sigurisë publike dhe arrestimin e të dyshuarve që bien ndesh me ligjin.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, gjatë javës së fundit, janë kontrolluar 16 mijë e 916 vetura dhe 270 lokale të ndryshme, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar 37 armë. Organet e rendit kanë bërë me dije se gjatë operacionit “Goditja” janë arrestuar 96 persona.

Gjithashtu, përveç kësaj, policia ka njoftuar se janë vendosur e realizuar 2 mijë e 997 pika për kontrollin e automjeteve (PKA) dhe janë realizuar 970 pika kontrolli me radar ose alkootest. Të gjitha këto aktivitete vetëm përgjatë një harku kohor prej një jave.

“Policia do të vazhdojë të kryejë dhe të realizojë pikat e parapara me këtë urdhër me qëllim që rastet kriminale të parandalohen dhe zvogëlohen sa më shumë”, kanë thënë nga institucionet e sigurisë, të cilët janë duke realizuar urdhrin operativ “Goditja” pas rritjes së numrit të vrasjeve në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore