Lajme

Arifi kërkon nga Kurti t’i vizitojë shqiptarët e Luginës së Preshevës


Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, pas konfirmimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovës se i ka dhënë leje kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiç për të vizituar të hënën Veriun e Kosovës ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që të vizitoj Luginën e Preshevës.

Këtë thirrje Arifi e ka bërë përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar vizitën e kryeministres së Serbisë në Kosovë. Kështu, më 5 shtator, zonja Bërnabiç udhëton për të takuar komunitetin serb në veri të Kosovës. Ftoj kryeministrin e Kosovës për vizitë zyrtare dyditore te shqiptarët e Luginës së Preshevës”.

Kryeministrja në largim e Serbisë, Ana Bërnabiç do të zhvillojë vizitën e saj të parë në Kosovë.

Kështu të paktën ka konfirmuar për Albanian Post, Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Qëndresa Fazliu.

Fazilu për Albanian Post ka bërë të ditur se Ministria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryeministres që ta vizitojë Kosovën të hënën.

“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjella të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ajo shkurt për Albanian Post.

Ndryshe gjatë ditës e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë pati paralajmëruar se Bërnabiç, pritet të realizojë një vizitë zyrtare në Kosovë, më saktësisht në tre komunat veriore të banuara me serb.

Bërnabiç, gjatë vizitës së saj në Mitrovicën e Veriut, Zveçanin dhe Leposaviçin, do të jetë e shoqëruar me të ashtuquajturin drejtorin e “Zyrës për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.

“Kryeministrja do të vizitojë të hënën Mitrovicën e Veriut, ku do të takohet me qendrën multimedia në pjesën veriore të Kosovës dhe Akademinë Shpirtërore. Pas kësaj ajo do të vizitojë Manastirin Banjska në komunën e Zveçanit. Në komunën e Leposaviçit, Kryeministrja do të vizitojë familjet në nevojë” thuhet në njoftim.

Njoftimi më tej bënë të ditur se lajmërimi i vizitës së kryeministres serbe në Kosovës, është bërë të enjten më 1 shtator, 72 orë para vizitës, siç parashihet me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.

“Vizita e Bërnabiç, në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit” thuhej më tej në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore