Lajme

Arabia Saudite refuzon normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin pa një shtet palestinez


Arabia Saudite nuk do të normalizojë marrëdhëniet e saj me Izraelin pa krijimin e një shteti palestinez, tha të premten ministri i Jashtëm i monarkisë së fuqishme të Gjirit, Faisal bin Farhane.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Jake Sullivan diskutuan të enjten mundësinë, e “zgjerimit” të Marrëveshjes së Abrahamit, e cila zyrtarizoi marrëdhëniet midis Izraelit dhe disa vendeve arabe.

“Normalizimi i vërtetë dhe stabiliteti i vërtetë do të vijnë vetëm duke u dhënë palestinezëve shpresë dhe dinjitet, gjë që kërkon dhënien e një shteti”, theksoi Farhane, kreu i diplomacisë saudite, në një video të postuar në Twitter të premten.

Eksportuesi më i madh në botë i naftës bruto dhe ekonomia më e madhe arabe, mbretëria e Gjirit është një partner shumë i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, por gjithmonë ka refuzuar të normalizojë lidhjet e saj me Izraelin për shkak të pushtimit dhe kolonizimit nga shteti hebre të territoreve palestineze.

Izraeli ka pushtuar territoret palestineze që nga viti 1967 dhe vazhdon politikën e tij të vendbanimeve hebreje, të denoncuar nga OKB-ja, OJQ-të dhe komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë partnerët më të afërt të shtetit hebre.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se Jake Sullivan kishte shprehur kundërshtimin e Washingtonit për çdo gjë që do të vinte në pikëpyetje “qëndrueshmërinë” e një shteti të ardhshëm palestinez.

Riadi nuk i kundërshtoi Marrëveshjet e Abrahamit të nënshkruara nën kujdesin e Uashingtonit në fund të vitit 2020 nga Izraeli dhe disa vende arabe, duke përfshirë disa në Gjirin pranë Arabisë Saudite, si Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por mbretëria ka përsëritur në disa raste se e bën respektimin e të drejtave të palestinezëve një kusht sine qua non për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë me izraelitët.

Benjamin Netanyahu beson nga ana e tij se normalizimi me Arabinë Saudite do të lehtësonte një marrëveshje izraelito-palestineze, megjithëse marrëdhëniet e mira me Emiratet e Bashkuara Arabe nuk kanë hapur as perspektivën më të vogël të një evoluimi të procesit të paqes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore