Shqipëria

Aprovimi i Sinovac-ut nga OBSH-ja, për AP-në flasin ekspertët


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), të martën e 1 qershorit, ka aprovuar vaksinën Covid-19, të prodhuar nga kompania Sinovac Biotech, që të hyjë në listën e përdorimit emergjent.

Kështu, Sinovac është bërë vaksina e dytë kineze, për të cilën OBSH-ja ka dhënë miratimin nga pas vaksinës Sinopharm.

Shqipëria ka filluar vaksinimin e popullatës së saj që prej muajit mars, me dozën kineze të Sinovac, dhe vaksinën tjetër CoronaVac.

Çfarë do të thotë ky aprovim?

Sipas drejtorit për Shëndetin Digjital dhe Inovacionin në management4health GmbH, Erion Dasho, për momentin “miratimi nga OBSH-ja tregon vetëm që mund të përfshihet në skemën e COVAX-it. Pra, nuk ka ndonjë ndikim mbi procedurat e Agjencisë Evropiane të Medikamenteve (EMA)”.

Për Albanian Post (AP), mjeku shpjegon se miratimi mund të vijë edhe nga EMA, ndonëse kjo s’mund të thuhet në këto çaste. Dasho shprehet se nuk është në dijeni, nëse Sinovac ka paraqitur dosje për miratim pranë kësaj agjencie.

“Mbi Sinovac ka shumë pak të dhëna, kështu që nuk mund të parashikoj dot asgjë se ç’mund të ndodhë me EMA-n”, deklaroi ai për AP-në.

Në vijim, ai thotë se, sa i takon përdorimit të kësaj vaksine në Shqipëri, përkrah mendimin se, në momentin që filloi vaksinimi, ishte i panevojshëm. Kjo pasi, sipas tij, Shqipëria kishte filluar të zhvillonte imunitetin e grupit.

“E vetmja gjë që duhej në atë kohë”, sipas tij, “ishte që personave, të cilët nuk e kishin kaluar ende COVID-in, duhet t’u ishte ofruar mundësia për të kryer një nga vaksinat cilësore, që ishin AstraZeneca, Moderna ose Pfizer”.

Dasho shprehet se administrimi në masë i Sinovac-ut, mbi të gjitha te njerëz që e kishin kaluar infeksionin, ka qenë një taktikë e gabuar, sepse u bazuan në një vaksinë ende të pamiratuar – asokohe – nga OBSH-ja dhe ende e pamiratuar nga EMA.

“Vaksina mund të miratohet nga EMA, por asnjëherë miratimet nuk kanë efekt prapaveprues, por gjithmonë efekt paraveprues”, tha Dasho.

Nga ana tjetër, mjeku i mirënjohur infeksionist, Pëllumb Pipero, u shfaq i lumtur dhe besimplotë te ky aprovim, që, sipas tij do të ndikojë pozitivisht te shqiptarët.

“Mendoj se është lajmi më i mirë dhe i shumëpritur për të gjithë ne, jo vetëm për cilësinë dhe sigurinë e vaksinës Sinovac, tashmë e konfirmuar nga OBSH-ja, përkundrejt skepticizmit të disa zërave te ne, por edhe për qetësinë që ju jep qytetarëve tashmë të vaksinuar, por dhe atyre që presin të vaksinohen sipas udhëzimeve  të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, për grup-popullatën e radhës”, deklaroi Pipero për AP-në.

Të shtunën e 22 majit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, Ogerta Manastirliu, deklaroi se pritet që të vijnë 500 mijë doza vaksine nga Sinovac.

Ndërkaq, të enjten e 3 qershorit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shfaq në krah të distributorit turk të Sinovac-ut. Së bashku me Canturk Alagöz, pronarin e kompanisë së prodhimit të disa llojeve vaksinash, ata diskutuan mbi projektin e ndërtimit të fabrikës së vaksinave në Shqipëri. Kjo, si pjesë e një qendre ekselence farmaceutike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore