
Të mërkurën e 28 korrikut, Gjykata e Apelit pranë Gjykatës së Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për të shtatë ish-zyrtarët e Bashkisë së Lushnjës, përfshi kryebashkiakun, Fatos Tushe, për afera korruptive dhe shpërdorim detyre.
Tushe paraqiti disa kërkesa me arsye shëndetësore pranë gjykatës për ta liruar atë me kusht.
Në kërkesën e depozituar në gjykatë, Fatos Tushe pretendon se vuan nga sëmundje të zemrës, diabet, gurë në tëmth, si dhe është alergjik ndaj ushqimeve specifike.
Ndërkaq, Tushe u shpreh se ishte i gatshëm të paguante lirimin me kusht në mënyrë që të dilte nga burgu.
Tushe, së bashku me zyrtarët e tjerë, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të hënën e 6 korrikut.
Akuzat për të arrestuarit
Kryebashkiaku Tushe u arrestua sepse akuzohej për favorizim dhe korrupsion.
Hetimi ndaj Tushës nisi në korrik të 2020-ës.
Kjo erdhi pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë. Ky tender kishte të bënte me ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.
Të martën e 7 korrikut, kryeministri Edi Rama, me vendim të Këshillit të Ministrave, shkarkoi nga detyra Fatos Tushen.
/Albanianpost.com