Lajme

Anulime dhe pezullime të fluturimeve pas sulmit të Iranit


Pasagjerët e linjave ajrore po përballen me anulime ose ndërprerje të fluturimeve drejt Izraelit dhe vendeve përreth pas sulmeve ajrore të Iranit në fundjavë.

EasyJet ka pezulluar fluturimet për në/nga Tel Aviv deri dhe duke përfshirë të dielën, 21 prill.

Wizz Air sakaq do të rifillojë udhëtimet për në Izrael të martën, më 16 prill, pas ndalimit të fluturimeve për në Tel Aviv të dielën dhe të hënën.

Megjithatë, paralajmëroi se “pasagjerët mund të pësojnë disa ndryshime në orar”.

Wizz Air ka deklaruar se ishte “duke monitoruar nga afër situatën me autoritetet përkatëse dhe duke i mbajtur pasagjerët të informuar për të gjitha ndryshimet e orarit”.

“Të gjithë pasagjerëve të prekur nga ndryshimet e orarit do t’u ofrohen opsione të riprenotimit ose rimbursimit”, ka vijuar deklarata.

Izraeli mbylli hapësirën e tij ajrore të shtunën në mbrëmje pasi Irani nisi sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë në këtë vend.

Irani lëshoi drone dhe raketa drejt Izraelit si hakmarrje ndaj një sulmi ndaj konsullatës së Teheranit në Damask më 1 prill, i cili vrau një numër komandantësh të lartë iranianë.

Izraeli nuk ka thënë se ka kryer sulmin e konsullatës, por besohet gjerësisht se ka qenë pas tij.

Izraeli rihapi hapësirën e tij ajrore herët të dielën në mëngjes, ashtu si Jordania, Iraku dhe Libani, të cilat kishin ndaluar fluturimet për një periudhë.

Grupi gjerman i linjës ajrore Lufthansa ka bërë me dije se ka pezulluar fluturimet për në/nga Tel Aviv, Erbil dhe Amman deri dhe duke përfshirë të hënën.

Por ato do të rifillojnë të martën.

Megjithatë, fluturimet për në Bejrut dhe Teheran do të mbeten të pezulluara deri të paktën më 18 prill.

Një zëdhënës ka thënë se “grupi Lufthansa kishte vendosur tashmë të premten, 12 Prill, të fluturojë rreth hapësirës ajrore iraniane deri dhe duke përfshirë të enjten, 18 prill, dhe kështu të pezullojë përkohësisht fluturimet për në Teheran”.

Ndërkohë, KLM anuloi të gjitha fluturimet për në/nga Tel Aviv deri të martën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore