Lajme

Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO do t’i jepte fund nismës për një Baltik “jo bërthamor”, paralajmëron Rusia


Moska e ka paralajmëruar NATO-n se, nëse Suedia dhe Finlanda i bashkohen aleancës ushtarake, Rusisë do t’i duhet të forcojë mbrojtjen e saj. Ajo gjithashtu paralajmëroi se angazhimi në të ardhmen për një Baltik “jo bërthamor”, do të marrë fund.

“Nuk mund të flitet më për ndonjë status pa armë bërthamore për Balltikun, ekuilibri duhet të rivendoset”, tha Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

“Deri më sot, Rusia nuk ka marrë masa të tilla dhe nuk planifikonte të merrte”, pohoi Medvedev.

Medvedev nuk specifikoi se ku do të ndodhte kjo apo çfarë masash mund të zbatoheshin, por Rusia e ka enklavën e saj të Kaliningradit të vendosur midis Polonisë e Lituanisë dhe vetëm kohët e fundit ka kryer stërvitje detare në Detin Baltik.

Ingrida Simonyte, kryeministrja e Lituanisë, u përgjigj duke hedhur poshtë kërcënimin për të rritur ushtrinë ruse në rajon si një element të njohur të lojës së Kremlinit.

“Paralajmërimi se ‘Rusia po kërcënon’, nuk është asgjë e re”, u tha ajo gazetarëve.

“Kaliningrad është një zonë shumë e militarizuar, ka qenë prej shumë vitesh dhe është në rajonin e Balltikut”.

Vendimi i Suedisë për antarësim në NATO

Kryesia e Partisë Socialdemokrate në Suedi ka vendosur që vendi të anëtarësohet në NATO, në qershor të këtij viti.

Kështu thonë informatorët në parti për suedezen “Svenska Dagbladet”.

Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson

Lajmi u bë i ditur të mërkurën, kur kryeministrja e vendit nordik, Magdalena Andersson, u takua me homologen e saj finlandeze,  Sanna Marin, në Stokholm.

Në të njëjtën kohë, gazeta “Aftonbladet” raportoi se, socialdemokratët kanë thirrur një takim të posaçëm të komitetit qeverisës të partisë për 24 maj, ku mund të vendosë të mbështesë anëtarësimin në NATO.

Takimi, pretendon gazeta, do të jetë kulmi i një dialogu të brendshëm partiak gjashtëjavor, i shoqëruar nga tre takime kombëtare mbi politikën e sigurisë dhe një takim në Stokholm, më 23 maj të 26 kryetarëve të distrikteve.

Finlanda përgatit librin e bardhë që pritet të nisë diskutimet për t’u futur në NATO

Finlanda do të nisë një proces, që ka të ngjarë të kulmojë me një aplikim nga fqinji nordik i Rusisë për t’u bashkuar me aleancën e mbrojtjes NATO.

Qeveria, së bashku me Presidentin Sauli Niinisto, finalizuan të martën një libër të bardhë mbi ndryshimet në mjedisin e sigurisë së vendit pas sulmit të Rusisë në Ukrainë.

Presidenti finlandez, Sauli Niinisto
Raporti do të dërgohet në parlament dhe do të bëhet publik kur të nënshkruhet zyrtarisht nga qeveria në një seancë që do të mbahet të mërkurën.

Ndërsa asnjë propozim për t’u bashkuar me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk është vendosur të përfshihet, qeveria është e përgatitur të paraqesë më vonë një shtesë për një propozim të tillë nëse mbështetja e kërkuar të shfaqet në parlament, ka thënë ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto.

Më shumë se gjysma e ligjvënësve votues tani mbështesin bashkimin me aleancën, sipas një raporti jozyrtar nga gazeta më e madhe finlandeze “Helsingin Sanomat”.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin
Finlanda ka parë një ndryshim tektonik në qëndrimet ndaj anëtarësimit në NATO pas pushtimit të Ukrainës, me sondazhet e fundit që tregojnë se shumica e finlandezëve tani e mbështesin atë.

Me librin e bardhë që do të përdoret si një mjet për parlamentin për të debatuar këtë çështje, një aplikim i mundshëm për hyrje mund të depozitohet përpara se blloku prej 30 anëtarësh të takohet për një samit në Madrid, më 29-30 qershor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore