Lajme

Anëtarësimi i Finlandës në NATO, ambasadori Nissinen: Vazhdojmë me mbështetjen e palëkundur për Kosovën


Matti Nissinen

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, në një intervistë për “The Geopost”, ka thënë se shteti nordik do të jetë e përkushtuar për oftuar siguri dhe stabilitet për vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht për Kosovën në kuadër të KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Që nga koha e presidentit Martti Ahtisaari ne kemi qenë plotësisht të përkushtuar në promovimin e së ardhmes së Kosovës në organizatat evropiane dhe euroatlantike dhe patjetër do të vazhdojmë ta japim atë mbështetje të palëkundur për Kosovën edhe në të ardhmen”, tha ai.

Ai tha se politika finlandeze është e orientuar në mbështetjen e Kosovës sa i përket anëtarësimit euroatlantik, qoftë në Këshillin e Evropës apo Bashkimin Evropian apo përfundimisht edhe anëtarësimin në NATO.

Nissien theksoi se antarësimi i Finlandës në NATO është një moment historik, ndonëse tha se shumë gjera mbetet të njëjta, duke pasur parasyshë se NATO më parë i ka dhënë Finlandës garanci sigurie dhe që kur u bë vend aplikant, ata janë ulur rreth tryezës në NATO si vëzhgues.

“Ne kemi qenë shumë afër NATO-s tashmë më herët me stërvitje në aktivitete të ndryshme të përbashkëta me NATO-n, gjithashtu në të njëjtën kohë shumë gjëra mbeten të njëjta me Finlandën, por prapë se prapë kjo është një ditë e rëndësishme historike për ne”, tha diplomati finlandez.

Ndryshe, raportet e Kosovës me Finlandën ishin karakterizuar përmes ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari, i cili mori pjesë në ndërmjetësimin e procesit të paqes në vitin 1999, si dhe shërbeu si i dërguar special i Kombeve të Bashkuara për të negociuar statusin e Kosovës në vitet 2005-2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore