Shqipëria

AMP-ja nis hetimet për incidentet me dy efektivët


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka ngritur dy grupe të posaçme hetimore.

Kjo, për zbardhjen e ngjarjeve ku janë të përfshirë punonjës policie.

Lajmin e bëri të ditur Shërbimi i Brendshëm, duke publikuar një njoftim zyrtar.

Pjesëmarrës në hetim është dhe Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.

Gjatë mbrëmjes së 23 majit u regjistruan dy incidente me efektivë, njëra prej tyre me pasojë vdekjen.

Fillimisht në Komisariatin Nr.3, në rrethana ende të paqarta, një polic 25-vjeçar me iniciale L.Z., plagosi me armën e shërbimit kolegun e tij.

Ky i fundit ndërroi jetë më pas në spital. Viktima ishte inspektori 55-vjeçar me iniciale Ç.S.

Grupi i posaçëm hetimor u gjend në ambientet e Komisariatit Nr. 3 në Tiranë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të ngjarjes.

Pak çaste më pas u regjistrua një tjetër incident, ku u përfshi sërish një efektiv, kësaj radhe i Ndërhyrjes së Shpejtë.

Në Komisariatin e Policisë Nr. 6, punonjësi i policisë 48-vjeçar me iniciale L.GJ., plagosi me armë zjarri një shtetas 64-vjeçar me iniciale M.L..

Sipas njoftimeve zyrtare, efektivi i FNSH-së ishte në gjendje të dehur.

Edhe në këtë rast, grupi i posaçëm hetimor po kryen të gjitha veprimet proceduriale.

Kjo, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Punonjësi i policisë është i shoqëruar në ambjentet e komisariatit për t’ju nënshtruar veprimeve hetimore.

Orë të vështira për Policinë e Shtetit, e cila do të përballet me një tjetër provë sa i takon organizimit të ndeshjes finale evropiane më 25 maj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano ka mbërritur menjëherë në ambientet e Komisariatit Nr. 3, por ende nuk ka një reagim zyrtar për incidentet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore