Lajme

Ambasadorja holandeze në Turqi vaksinohet me Sinovac


Ambasadorja holandeze në Turqi, Marjanne de Kwaasteniet, ka marrë dozën e parë të vaksinës kineze Sinovac. Procesi është në vazhdën e programit të vaksinimit turk.

Ambasadorja Kwaasteniet, 65-vjeçare, ka ndarë në median sociale Twitter, një foto të saj gjatë marrjes së vaksinës.

“Jam e lumtur që unë, 65 vjeçe, dhe im shoq, 70 vjeç, morëm dozën e parë të vaksinës në kuadër të fushatës turke për vaksinim. Muajin tjetër, doza e dytë!”.

E dërguara në Turqi cilësoi në postim edhe faktin se vaksina që ka marrë, është ajo kineze nga Sinovac.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë turke, deri tani janë vaksinuar rreth 6.9 milionë qytetarë me dozën e parë. Ata që kanë përfunduar edhe me dozën e dytë ndërkohë, janë rreth 1.7 milionë.

Turqia nënshkroi gjatë shkurtit marrëveshje me dy vaksinat lindore, atë Sputnik V të Rusisë dhe Sinovac-un e Kinës. Mungesa e theksuar e vaksinave amerikane Pfizer dhe Moderna në treg, i shtyu turqit të merrnin këtë qasje.

Vaksinat lindore në testime kanë shfaqur efektshmëri mbi 90%. Në Evropë, ende pritet certifikimi i tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore