Lajme

Ambasadori rus në Serbi viziton garizonin ushtarak serb afër kufirit me Kosovën


mbasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko

Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandar Bocan Kharchenko, gjatë ditës së diel u takua me Ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanovic, ku edhe së bashku bënë një vizitë në garnizonin ushtarak të Rashkës, afër kufirit të Jarinjes.

“Ambasadori rus shprehu mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit në lidhje me de- përshkallëzimin e situatës në Kosovë”, shkruan në një njoftim Ministria e Mbrojtjes së Serbisë.

Kharchenko ka deklaruar për mediat serbe se “kjo situatë, në Moskë ka shkaktuar shumë shqetësim”, dhe se e ka siguruar edhe Presidentin e Serbisë se Serbia gëzon mbështjetjen e Rusisë.

Ai ka thënë se “përgjegjësia për situatën i takon institucioneve të Prishtinës, për akumulimin e forcave në kufi dhe shkeljen dhe mospërmbushjen e marrëveshjeve”, thuhet në njoftim të MB-së serbe.

Bocan Kharchenko ndër të tjera ka thënë edhe se Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov është aktualisht në Nju Jork dhe se është i bindur se ai do të përdorë pozicionin e tij dhe pozicionin e Rusisë në OKB për të qetësuar situatën në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore.

Ndërkaq për vizitën e ambasadorit rus në garnizonin ushtarak të Rashkës, ka reaguar edhe ish-ministri i Mbrotjes së Serbisë, Dragan Stutanovac, i cli tha se Rusia me mjeshtëri po e përdorë situatën e krijuar në Veri të Kosovës, për të shtrirë “pushtet të butë”, për të fituar disa pikë te qytetarët serb, dhe të krijojë avantazhe të saj ndaj BE-së.

Sipas tij, “para se të veprojë Bashkimi Evropian, Rusia mjeshtërisht dëshiron që këtë situatë ta përdorë përmes shtrirjes së pushtetit të butë, dhe mbi të gjitha, të fitojë disa pikë në sy të qytetarëve të cilët besojnë se në rast të eskalimit të situatës, Rusia do të ‘intervenojë’ në konflikt”.

Kjo sipas ish-ministrit serb do të ishte gabim, sepse ajo është “një faktor i rëndësishëm të cilën ajo do ta përdor për të zgjidhur problemet e saj në Ukrainë. Kështu që, sot, vizita nga ana ruse, është fitore e dy anshme, dhe Serbia sigurisht se do t’i kthehet Brukselit për zgjidhje”.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Serbi, edhe të dielën u deklarua se forcat serbe janë vendosur brenda grupeve taktike që janë të vendosura në garnizonin në Rashkë, bazën ushtarake “Rudnica” dhe në drejtim të kalimit të Jarinjes.

Ministri serb i mbrojtjes Nebojsha Stefanovic deklaroi se “ushtria serbe është e gatshme t’i përgjigjet në çdo moment të gjitha sfidave që i janë vënë përpara, se ajo” do të “mbrojë njerëzit e saj dhe se progom ndaj serbëve nuk do të ndodhë përsëri”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore