Shqipëria

Ambasadori i ri amerikan në Shqipëri tregon përparësitë e mandatit të tij


David J. Kostelancik, i emëruari i presidentit amerikan Joe Biden, si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Shqipëri, ka parashtruar përballë Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, të gjitha përparësitë e tij si ambasador, në mandatit që e pret në rast konfirmimi në këtë post.

Thelbi për të, mbetet tek forcimi i institucioneve demokratike dhe atyre të drejtësisë në vend, si parësore të dyja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Kjo gjë, është përcaktuar më parë edhe nga presidenti Biden, si një përparësi për strategjinë kombëtare lidhur me Shqipërinë.

“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, shtoi ai përballë senatorëve amerikanë.

Një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, tha ambasadori i emëruar, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.

Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tha ai, tregoi nevojën për të për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm.

Shtetet e Bashkuara, vijoi më tej, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.

Ndërkohë që, një përparësi, do të jetë edhe forcimi i klimës së biznesit në vend, ku interesat amerikane, shërbehen përmes një tregu transparent në Shqipëri.

Dy muaj më parë, kur ai u përcaktua nga Biden, Kostelancik u shpreh i nderuar për postin ku është emëruar.

“I nderuar që jam nominuar sot nga Presidenti Biden si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Republikën e Shqipërisë”, shkroi ai më 24 janar 2023, në platformën Linkedin.

Kjo nuk do të jetë detyra e tij e parë në Shqipëri, pasi Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.

Ai aktualisht po shërben si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.

Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.

Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.

Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.

Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.

Nëse kandidatura e tij miratohet nga Senati, diplomati Kostelancik do të zëvendësojë ambasadoren aktuale amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Ambasadori amerikan mes Lindjes dhe Perëndimit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore