Shqipëria

Ambasadori amerikan mes Lindjes dhe Perëndimit


Një rikthim i një figure madhore në diplomacinë e shtetit të cilësuar si më i fuqishmi në botë ajo e ambasadorit të ri në Tiranë dhe ndër të tjera, një tregues se diplomacia e SHBA-ve, në Shqipëri, nuk vendoset thjesht për një vend të vogël ballkanik, por për një rajon me rëndësi themelore, mes Lindjes dhe Perëndimit.

David J. Kostelancik, do të jetë ambasadori i ri i SHBA-ve në Shqipëri, pas emërimit të bërë nga presidenti amerikan, Joe Biden dhe pas miratimit që ai pritet të marrë në Senat.

Vetë fakti se ai po lë pozitën e këshilltarit për politika të jashtme të shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley, është në vetvete tregues i rëndësisë që diplomacisë amerikane në Shqipëri, po i jepet.

Kostelancik e ka të njohur vendin e shqiponjave, pasi në vitet 1993-1995, ai ka shërbyer në zyrën politike të Ambasadës amerikane në Tiranë. Pra, është familjar prej tre dekadash me çfarë ndodh këtu.

Për më tepër, ai zotëron mjaft mirë gjuhën shqipe, por jo vetëm kaq.

Ai zotëron rrjedhshëm edhe rusishten, hungarishten dhe turqishten.

Në situatën e sotme gjeopolitike, i gjithë trekëndëshi mes poleve të luftës në terren, është i faktuar tek ky njeri.

Së pari, sepse emërimi i tij, vjen në paraprirje të një-vjetorit të luftës në Ukrainë.

Shqipëria është një ndër vendet e rreshtuara më fuqishëm pro-Ukrainës, duke e mbrojtur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe duke qenë bashkëpenëmbajtëse e kauzës, së bashku me SHBA-të.

Thuajse një vit pas pushtimit rus, shqetësimi i SHBA-ve është i qartë, mbi pozicionimin e Ballkanit Perëndimor në tavolinën e shahut ndërkombëtar.

Në rajon, Shqipëria dhe Kosova janë qartësisht dy mbrojtëset më të mëdha të interesave amerikane dhe si situatë e tillë, doemos Tirana duhet të jetë kështu edhe epiqendra e zhvillimit diplomatik amerikan.

Një faktor tjetër ndërkombëtar, ka të bëjë lidhur me Kostelancik, edhe me eksperiencën e madhe që ai ka në fushën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Në gjithë Evropën, jo pak herë është ngritur problemi i lidershipit të mafies shqiptare në shpërndarjen e kokainës dhe drogave të tjera.

Ndaj, një person kaq ekspert në lidhje si me diplomacinë, ashtu edhe me narkotrafikun, në një epokë të ndryshimit të madh të Drejtësisë në Shqipëri, është të vrasësh dy zogj me një gur.

Ai gjithashtu rikthehet në Shqipëri pas thuajse tre dekadash, duke e gjetur vendin tashmë në një tranzicion të tejzgjatur, ku korrupsioni, krimi i organizuar, apo lidhja e mafies me qendra e institucione shtetërore, janë shqetësim real.

Kanë qenë edhe forcat e huaja diplomatike, ato të cilat kanë ndërmarrë hapa shumë me rëndësi në vendosjen e reformave të drejtësisë në vend dhe spastrimit të gjykatave e prokurorive.

Një tjetër aspekt ky, ku larmishmëria e ekspertizës së Kostelancik, mund të kulmojë.

Influenca ruse në rajon, mbi të gjitha në muajt e fundit, ka rikthyer diskutimin sa i përket futjes së parave në mënyrë të fuqishme, me qëllim lobimin pro Kremlinit dhe marrjen e benefiteve për këtë.

Ambasadori i ri, e ka edhe këtë nivel ekspertize nën mëngë, pasi është njohës shumë i mirë i lobimeve ruse dhe ka shërbyer gjithashtu në Hungari si i ngarkuar me punë për dy vite.

Duke analizuar këtë profil të tijin, për Shqipërinë, e cila është kthyer në partnerin strategjik më të rëndësishëm për Evropën dhe SHBA-të në Ballkan, ky emërim nuk ka si të mos ketë domethënie.

Mbi të gjitha, sa i takon avancimit më të shpejtë të lëvizjeve të drejtësisë dhe për të shërbyer si një katalizator rifreskimi të gjeneratave të lidershipit shqiptar, i pandryshuar në 30 vite.

E plotë tabloja, duke e bërë Tiranën qendër rajonale të koordinimit të politikave amerikane, me drejtues, njeriun në nivelin më të lartë dhe më të përgatitur për detyrën.

 

Biden zbulon emrin që do të zëvendësojë Yuri Kim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore