Lajme

Ambasadori finlandez: Formimi i Asociacionit s’është diçka e re, shpresoj se do të shohim rezultate të shpejta


Matti Nissinen

Si një element i rëndësishëm i Marrëveshjes së arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë fillimisht më 27 shkurt e më pastaj me 18 mars, e ka cilësuar ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Formimi i këtij mekanizmi sipas diplomatit finlandez nuk është diçka e re dhe se ajo bazohet në Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 të arritura në kuadër të procesit të dialogut.

“Unë shpresoj se kjo është një fushë ku ne mund të shohim rezultate të shpejta, ndërsa dialogu i udhëhequr nga BE-ja vazhdon”, ka thënë Nissinen në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Kosova Press.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas ambasadorit Nissinen, do të hapë shumë dyer për të dy vendet në organizatat ndërkombëtare.

“Marrëveshja e arritur në Ohër ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur. Tani të dyja palët duhet të lëvizin me shpejtësi për zbatimin e saj. Unë mendoj se ndërmjetësuesi i BE-së do t’i ftojë palët në një takim shumë shpejtë. Shpresojmë që ky momentum të vazhdojë dhe palët të qëndrojnë të përkushtuara edhe në fazat e ardhshme të procesit”, ka shtuar ai.

Ambasadori finlandez më tej ka bërë të qartë se shteti i tij përkrahë synimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Finlanda beson fuqishëm se Kosova i përket organizatave evropiane dhe euroatlantike. Këtë e kemi thënë vazhdimisht. Qëndrimi afatgjatë i Finlandës ka qenë se, për shembull në rastin e anëtarësimit në BE, ata që e plotësojnë kriteret janë të mirëpritur të anëtarësohen. Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, për shembull, është shumë i rëndësishëm për popullin e Kosovës. Finlanda fuqishëm e mbështet këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore