Lajme

Ambasadorët e vendeve të QUINT-it s’marrin pjesë në pritjen shtetërore për Ditën e Çlirimit


Ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë nuk kanë qenë prezentë në pritjen e organizuar nga presidentja Vjosa Osmani për nder të 12 qershorit, Ditës së Çlirimit.

Po ashtu, prezentë nuk ishin as liderët e partive opozitare në Kosovë.

Mospjesëmarrja e ambasadorëve të akredituar në Kosovë, në pritjen shtetërore vjen pak ditë pas përjashtmit të Kosovës nga stërvitja ushtarake ndërkombëtare i udhëhequr nga NATO-ja “Defender Europe 23” si pasojë e parë për Qeverinë pas situatës së krijuar në Veri.

Albanian Post për këtë çështje ka pyetur këshilltarin për media të presidentes Osmani, Bekim Kupinën, por ky fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Çka iu tha Hovenier kosovarëve?

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pati deklaruar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, pati theksuar Hovenier.

Ushtria e Kosovës u përjashtua nga rreshti, megjithëse ambasadori shprehu keqardhje.

“Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, shtoi ambasadori.

Kritikat e vendeve të QUINT-it

Disa herë brenda muajit të kaluar, shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, të njohur ndryshe si QUINT, kishin reaguar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, duke e dënuar vendimin e institucioneve për të hyrjen me forcë në ndërtesat komunale në Veri, “pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje”.

“Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre”, thuhet në reagim.

“Në të njëjtën kohë, ne i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt dhe të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes, dhe që mund të nxisin tensionet ose të nxisin konfliktin”.

Raportimi i Escobar-it

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, e ka dorëzuar raportin e tij nga vizita e fundit në Kosovë dhe Serbi dhe masat ndëshkuese nga komuniteti ndërkombëtar për palët që i shmangin qëllimshëm obligimet e dala nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, do të qartësohen në ditët në vazhdim, ka thënë për Albanian Post një burim i lartë nga Uashingtoni kur ka komentuar zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës dhe pozicionin amerikan.

“Në ditët në vazhdim, raportimi i Escobar-it do të analizohet dhe në bashkëpunim me partnerët evropianë, hapat dhe masat ndëshkuese do të qartësohen”, ka thënë burimi ekskluzivisht për Albanian Post.

Sipas po të njëjtit burim “çdo aksion dhe masë do të jetë në akordim me sjelljen e palëve”.

“Duhet të sqarohet se këto masa ndëshkuese janë në frymën e pikës së fundit të marrëveshjes së arritur në Ohër, me 18 mars. Prandaj, zhvillimet në Veri të Kosovës shihen dhe vlerësohen si taktika dhe shmangie të qëllimshme të obligimeve që dalin nga Marrëveshja Bazike dhe Akordi i Ohrit”, ka thënë burimi duke kujtuar se aty bëhej e qartë se ikja nga obligimet e marrëveshjes përcillet me pasoja.

Albanian Post ka raportuar ekskluzivisht për sanksionet potenciale të cilat ndahen në dy faza.

Në raportimin e AP-së qartësohet se nëse situate nuk gjen përmirësim, atëherë sanksionet përshkallëzohen rëndë.

Mund të shkohet deri te shpallja non-grata e kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Punëve të Brendshme, kthimit të Veriut në para-gjendjen e vitit 2004 ku KFOR merr kontrollin e plotë, bllokim i fondeve nga SHBA dhe BE, pasivitet ndaj fushatës së Serbisë për çnjohje, bllokim i proceseve integruese dhe përjashtim eventual i Kosovës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare ku veçse është e anëtarësuar.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit, përkatësisht në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale. Nga ana tjetër, komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Ekskluzive nga Uashingtoni: Escobar ka raportuar – SHBA s’e ka ndërmend ta rrëzojë Kurtin, masat ndëshkuese për palët e papërgjegjshme po shqyrtohen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore