Lajme

Ambasadorët e rinj të Kosovës – a ia vlejti pritja?


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë ditës së hënë në një emision televiziv ka shpalosur emrat e ambasadorëve të rinj të Kosovës nëpër disa nga vendet më të rëndësishme dhe strategjike diplomatike në botë.

Emërimi i ambasadorëve të rijnë ka ardhur pas një periudhe gjashtë mujore vakumi që kanë pasur misionet diplomatike kosovare.

Kështu sipas kryediplomates Gërvalla, Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohet nga Ilir Dugolli, i cili së fundmi ka qenë ambasadori i Kosovës në Turqi.

Ilir Dugolli, Ambasador i ri i Kosovës në SHBA

Ambasada e Kosovës në Britaninë e Madhe do të përfaqësohet nga Ilir Kapiti, i cili para emërimit si ambasador ishte zëvendësministër në Ministrinë e Financave.

Gërvalla, ka bërë të ditur se Mehdi Halimi do jetë ambasadori i Kosovës në Francë.

Ilir Kapiti, ambasadori i ri i Kosovës në Britaninë e Madhe

Shefja e diplomacisë kosovare po ashtu ka njoftuar se përfaqësuese e Kosovës në Çeki do të jetë Albesjana Iberhysaj, ndërsa ambasadori i ri i Kosovës në Gjermani do të jetë Faruk Ajeti.

Megjithatë, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, mendon se ambasadorët e rinj të Kosovës kanë një bagazh të duhur akademik dhe profesional për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën.

“Ambasadoret politik, por edhe ata të karrierës mendojë se janë me një biografi të pasur në karrierën diplomatike, akademike dhe profesionale dhe jam e bindur se do te na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë dhe të denjë si Republikë”, ka thënë Musliu-Shoshi për Albanian Post.

Sipas saj angazhimi dhe suksesi i ambasadorëve të rijnë nëpër vendet e ndryshme të botës do të varet nga direktivat që ata do i pranojnë nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

“Varet nga prioritetet dhe aktivitetet e qëndrimet e MPJD-së si dhe me punën dhe përfaqësimin që do të bëjnë ambasadorët”, ka shtuar ajo.

“Emërimet janë duke u bërë me ligjin aktual, i cili kërkon përfaqësim 50/50, pra gjysma duhet të jenë ambasadorë të karrierës dhe gjysma tjetër me çelës politik. Çdo devijim nga ky përfaqësim do të thotë shkelje ligjore”, ka përfunduar ajo.

Ariana Musliu-Shoshi

Ndërsa në anën tjetër anëtarja e këtij komision nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, për AP ka thënë se është ende herët për të gjykuar kredibilitetin e Ambasadorëve të rinj.

“Ambasadoret duhet të jenë profesionalë, të kenë integritet dhe përfaqësojnë shtetin dhe politikat e Kosovës”.

Sipas saj, ambasadorët e karrierës emërohen nga Ministria e Punëve të Jashtme ndërsa ato politik kalojnë edhe nga procedurat parlamentare e kandidatët potencial intervistohen nga komisioni për punë të jashtme.

Time Kadrijaj

Me 19 maj të këtij viti, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, kishte shkarkuar nga detyra 12 ambasadorët politikë.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, muaj më parë ishte shprehur se vendimi për shkarkimin e ambasadorëve të mëparshëm ishte akt në mesin e reformave që pati nisur MPJD-ja, dhe se funksioni i tillë i ambasadorëve ishte i jashtëligjshëm.

“Janë shkarkuar 12 ambasadorët politikë, sepse kanë qenë në disproporcion me ligjin tonë. Janë shkarkuar të gjithë për një herë, sepse në momentin që ke tejkaluar kuotën ligjore, atëherë i ke të gjithë të jashtëligjshëm. Pra, 12 ambasadorët politikë sepse kemi konsideruar se është shkelur ligji i shërbimit të Jashtëm politik. Në ndërkohë është bërë përzgjedhja e ambasadorëve”, kishte deklaruar Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore