Lajme

Ambasadorët e QUINT-it s’deklarohen për media pas takimit me Kurtin


Ambasadorët e QUINT-it pas përfundimit të takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

Pas takimit me të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten ka mbajtur një takim edhe me ambasadorët e QUINT-it.

Takimi me ambasadorët ka zgjatur për rreth një orë, teksa nuk ka pasur deklarim për mediat pas përfundimit të këtij takimi.

Nga mediat e pranishme në oborrin e Qeverisë, ata janë parë duke dalur nga Qeveria, teksa kanë tentuar që të kenë një deklaratë në lidhje me takimin, ambasadorët nuk kanë pranuar që të prononcohen.

Një takim me ambasadorët e QUINT-it kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kishte zhvilluar edhe më 20 mars.

Ai kishte deklaruar se në takim me ambasadorët e QUINT-it kanë diskutuar lidhur me ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit është thënë se palët janë angazhuar plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes.

Më 6 mars, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së, me të cilët kishte biseduar për dialogun me Serbinë dhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Si shkoi vizita e Lajçak-ut në Kosovë?

Miroslav Lajçak në Kosovë fillimisht takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, bëri të ditur se në takim me Kurtin u diskutua mbi atë se si e sheh Unioni procesin e hartimit të draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë rrugën e mesme dhe kjo është pikërisht ajo që ne po përpiqemi të bëjmë”, deklaroi Lajçak pasi u pyet për dy draft-statutet që janë prezantuar nga palët për Asociacionin.

Kur Lajçak u pyet konkretisht për qëndrimin e Unionit mbi modelin kroat të cilën e propozoi Kurti në takimin 2 majit, nëse mund të funksionojë edhe në Kosovë, tha se BE-ja pranon atë që është në pajtim me vlerat evropiane.

“Për BE-në e pranueshme është ajo që është e bazuar në normat dhe vlerat e BE-së, dhe që është në pajtim me modelet ekzistuese evropiane”.

Po ashtu, pas përfundimit të takimit, diplomati sllovak bëri të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të zhvillohet të hënën e 15 majit në nivel të kryenegociatorëve.

“Do të takoj të hënën kryenegociatorin e palës kosovare Bislimin dhe kryenegociatorin e palës serbe, Petkoviç’in në Bruksel. Kemi marrëveshjen kemi ankesin dhe duhet të kemi mirëkuptim të qartë për hapin 1, hapin 2, hapin 3”, tha Lajçak përpara gazetarëve pas takimit.

Ndërsa, ai tregoi se në takim me Kurtin, i cili zgjati gati dy orë, ishte diskutuar edhe për hapat e mëtutjeshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Erdha në Prishtinë për të diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, për rrugën përpara për normalizimin e raporteve, pas takimit të 2 majit. Kemi pasur një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet, të njëjtat diskutime do t’i kem edhe nesër në Beograd”.

Çka tha Kurti pasi u takua me Lajçak-un?

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi para gazetarëve se do të insistoj në zbatim të plotë e të përpiktë të marrëveshjes së dialogut me Serbinë.

“Takimi që u zhvillua sot me emisarin special evropian, Lajçak është si vazhdim i takimi të 2 majit që zhvilluam në Bruksel dhe përgatitje e takimit që do të zhvillohet ndërmjet kryenegociatorëve. Insistimi ynë është ajo që jemi dakorduar, pra zbatim i plotë, i përpiktë i secilit nen pa vonesa e pa kushte”.

“Ne e dimë që pala tjetër ka bërë deklarata se marrëveshjen nuk e pranon me përmbajtje por vetëm me koncept dhe se zbatimi i saj ka kufizime. Për neve këto janë të pa pranueshëm dhe për neve ishte e rëndësishëm që ta konfirmojmë me emisarin Lajçak që marrëveshja është ajo me 11 nene nga 27 shkurti në Bruksel dhe me 12 pika aneksi i zbatimit”, tha kryeministri.

Kryeministri i Kosoves, Albin Kurti, duke folur para gazetareve.

Ai tutje potencoi se aktualisht kanë interesim që të bashkëpunojnë për ta shkruar një vizion për komunitetin serb në Kosovë.

“Tash jemi të interesuar që të bashkëpunojmë për ta shkruar bashkë një vizion për komunitetin serb në Kosovë, sa i përket nivelit adekuat të vet-menaxhimit siç e sheh neni 7 i marrëveshjes së dakorduar duke mos e anashkaluar edhe neni 10”.

“Ky është synimi ynë paralelisht më atë qe duhet të ketë implementim të plotë dhe sa më të shpejt. Bisedimet janë duke u zhvilluar, Lajçaku, pas Kosovës do të shkojë edhe në Serbi dhe në javën e ardhshme besoj që do ta kemi një takim mes kryenegociatorëve”, tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore