Lajme

Ambasadorët e NATO-s nënshkruajnë protokollet e aderimit për Finlandën dhe Suedinë


Ambasadorët e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) kanë nënshkruar Protokollet e Aderimit për Finlandën dhe Suedinë të martën e 5 korrikut.

Kjo është bërë në prani të ministrit të Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, dhe ministres së Jashtme suedeze, Ann Linde.

Sakaq, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në fjalën e tij tha se ky është “me të vërtetë një moment historik, për Finlandën, Suedinë, NATO-n dhe për sigurinë tonë të përbashkët”.

Një ditë më parë, NATO përfundoi negociatat me Suedinë dhe Finlandën për pranimin e tyre.

Lajmi u raportua nga shërbimi për shtyp i NATO-s.

“Finlanda dhe Suedia kanë përfunduar negociatat e anëtarësimit në selinë e NATO-s në Bruksel, siç u ra dakord javën e kaluar nga liderët e vendeve në samitin në Madrid. Të dy vendet kanë konfirmuar zyrtarisht dëshirën dhe aftësinë e tyre për të përmbushur detyrimet e tyre politike, ligjore dhe ushtarake si Anëtarët e NATO-s”, u tha në komunikatën zyrtare.

Delegacioni i Finlandës u kryesua nga ministri i Punëve të Jashtme, Pekka Haavisto, dhe ministri i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, Suedia – ministrja e Punëve të Jashtme, Ann Linde.

Kujtojmë se Finlanda dhe Suedia bashkërisht paraqitën aplikime historike për t’u anëtarësuar në NATO më 18 maj.

Për Finlandën, kjo përfundon shumë dekada, dhe për Suedinë – rreth 200 vjet neutralitet.

Vendimi për t’i pranuar të dyja vendet tashmë në samitin e qershorit në Madrid ishte në pikëpyetje deri në fund për shkak të vetos së Turqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore