Kosova

Ambasada Gjermane në Kosovë: Me vëmendje po ndjekim procesin gjyqësorë ndaj drejtorit të ViaMetric


Ambasada Gjermane në Kosovë përmes një komunikate për medie është shprehur se janë në dijeni për “arrestimin e drejtorit të qendrës për pranimin e aplikacioneve për viza të VisaMetric dhe, me vëmendje po ndjek procesin gjyqësor ndaj tij”.

“Pasditën e datës 16 maj 2023, ambasada për herë të parë mësoi për vendimin e Gjykatës Komerciale kundër VisaMetric, në të njëjtën ditë, kur VisaMetric përmes avokatit të saj edhe pranoi vendimin e shkallës së dytë”, thuhet në këtë njoftim të ambasadës.

VisaMetric, menjëherë pasi mësoi për aktgjykimin, në konsultim me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Berlin dhe Ambasadën Gjermane në Prishtinë, filloi zbatimin e tij.

“Pas kësaj, dhe që nga dita e nesërme, të gjithë aplikantëve u është dhënë mundësia që në momentin e parashtrimit të kërkesës të zgjedhin mes tërheqjes personale dhe kthimit të pasaportës përmes shërbimit postar me kosto shtesë, si në procedurën e deritashme”.

“Personat të cilët nga data 17 maj vendosin për tërheqje personale të pasaportës, ndërsa gjatë caktimit të terminit kanë paguar shërbimin postar për kthimin e pasaportës, do të rimbursohen”, njofton ambasada Gjermane.

Që nga data 17 maj 2023, opsioni për kthimin e pasaportës me postë nuk është më i detyrueshëm, “kur caktoni terminin në mënyrë elektronike”.

Në kontratën e lidhur në mes VisaMetric dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, “VisaMetric obligohet të respektojë përcaktimet e Ligjit Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave”.

Prandaj, njofton ambasada se VisaMetric duhet të operojë infrastrukturën e saj të teknologjisë së informacionit në përputhje me kërkesat e Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit për Administratën Publike, dhe “mund të ruajë të dhënat personale të aplikantëve vetëm në serverë brenda Zonës Ekonomike Evropiane”.

Të dhënat e regjistruara alfanumerike dhe biometrike të aplikantëve i dërgohen ambasadës në formë të koduar.

“Këto të dhëna nuk ruhen në pajisjet e shërbyesit të jashtëm VisaMetric”.

“VisaMetric edhe më tej është i obliguar që menjëherë pas dërgimit të fshijë të gjitha të dhënat e aplikantëve dhe të sigurojë që për caktimin e terminit të ruhen vetëm emri, të dhënat e kontaktit si dhe numri i pasaportës deri në momentin kur pasaporta i kthehet aplikuesit, dhe që këto të dhëna më pas të fshihen menjëherë”, përfundon ambasada gjermane në Kosovë.

Çfarë ka ndodhur?

Më 18 maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar kallëzim penal ndaj kompanisë “VisaMetric” së cilës Gjykata Komerciale e Kosovës ia ka ndaluar që të marrë nga 30 euro për shërbime postare për pasaportat e qytetarëve.

Më pas, gjashtë ditë më vonë, më 24 maj Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj drejtorit të ‘VisaMetric-ut’.

Gjykata Themelore në Prishtinë, një ditë më parë, më 25 maj, ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15 mijë eurove ndaj drejtorit të VisaMetric, si dhe i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës thuhet se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit.

Në njoftim gjithashtu bëhet e ditur se nëse i pandehur nuk i përmbahet masës së dorëzanisë, gjykata me aktvendim i cakton masën e paraburgimit si dhe mjetet e deponuara për dorëzani derdhën në fondin e viktimave të krimit.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin S.O e ka refuzuar dhe ka aprovuar kërkesën e mbrojtësit të të pandehurit, ashtu që të njëjtit i ka caktuar masën e dorëzanisë në vlerë prej 15.000 mijë euro ( pesëmbëdhjetë mijë euro) si dhe të pandehurit S.O i është konfiskuar dokumenti i udhëtimit – pasaporta. Masa e dorëzanisë të pandehurit i caktohet konform nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftim.

Çka është ViaMetric?

Kompania “Visametricut” është kompani që ofronte shërbime të autorizuara nga përfaqësitë gjermane në Kosovë për të trajtuar shërbimet e mbështetjes për aplikimin për viza.

Mirëpo, pas vendimit të Gjykatës Komerciale “Visametricut” i është ndaluar ky veprim.

Ky vendim i Gjykatës ka ardhur pas inicimit të avokatit Flamur Abdullahu që kishte iniciuar në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ për aplikantët për viza në Ambasadën Gjermane.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ishte pyetur nga gazetarët për këtë çështje, mirëpo ai ishte përgjigjur shkurt duke thënë se “s’kam koment. Flisni me Visametricun”.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore