Shqipëria

Ambasada amerikane publikon rrëfimin e gjyqtares së GJKKO: Krimi i organizuar më ka kërcënuar familjen


Saide Dollani – zëvendëskryetarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar – ka rrëfyer vështirësitë me të cilat është përballur.

Gjatë punës së saj si gjyqtare, ajo ka treguar se është kërcënuar bashkë me familjen nga eksponentë të krimit të organizuar.

Sakaq, videoja e rrëfimit të saj është publikuar nga ambasada amerikane në kuadër të Muajit të Historisë së Gruas në mars.

“Në moshën 24-vjeçare vendosa të bëhesha gjyqtare për të kontribuar konkretisht në vendosjen e shtetit ligjor që po lindte pas diktaturës së gjatë. Vështirësitë dhe paragjykimet për shkak të të qenit femër ishin të shumta. Kam hasur paragjykime për vendimin që kam marrë për të ndjekur karrierën si gjyqtare në të njëjtën kohë si nënë e dy fëmijëve, 6 vjeç e 7 e gjysmë”, ka rrëfyer ajo.

Ndërkohë, ka dalluar se vështirësia e radhës ishte lufta kundër paragjykimit se një gjyqtare femër nuk do të ishte aq e aftë dhe e fortë sa duhej për të gjykuar çështjet penale.

“Në një karrierë të gjatë si gjyqtare, nuk kam bërë kurrë kompromis me padrejtësitë dhe paligjshmërinë, kam hasur edhe presione, edhe kërcënime. Edhe familja ime ishte pjesë e kërcënimeve të krimit të organizuar. Burri im ishte ai që e përjetoi drejtpërdrejt këtë kërcënim. Ato i krijuan shumë shqetësim, por ai kurrë nuk u bë shqetësim për mua”, ka thënë ajo.

Gjyqtarja ka shtuar po ashtu se secila vajzë duhet të dijë se shkruan historinë e vet të karrierës, ndaj “përqafoni cilësitë tuaja më të mira dhe mos e nënvlerësoni kurrë potencialin që keni për ta bërë botën më të mirë”.

“Qëndroni të fortë dhe vazhdoni të kapërceni të gjitha pengesat që hasni në karrierën tuaj. Ju jeni pasuria më e vlefshme e vendit tuaj, ndaj kontributi juaj është i domosdoshëm dhe shumë i rëndësishëm për të sjellë ndryshime pozitive”, thekson ajo gjatë rrëfimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore