Kosova

Ambasada amerikane në Prishtinë: Kosova i bashkohet thirrjeve për largimin e sigurt të afganëve


Deklarata e departamentit amerikan të shtetit e cila flet për situatën në Kabul, bashkë me njoftimin se Kosova i bashkohet SHBA-së në thirrjen për largimin e sigurt të shtetasve të huaj dhe afganëve, nga Afganistani, u publikuan mëngjesin e së hënës nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.

“Kosova i bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera në thirrjen: “të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi”, shkruhet në postimin e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, “Ne mbështesim, po punojmë për të siguruar dhe i bëjmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë dhe lehtësojnë, largimin e sigurt dhe të rregullt të shtetasve të huaj dhe afganëve që dëshirojnë të largohen nga vendi”, thuhet në deklaratën e përbashkët për Afganistanin, e publikuar nga Departameni i shtetit Amerikan.

Ndërkaq u bën thirrje udhëheqësve të vendit që të rikthejnë sigurinë.

“Ata në pozita të pushtetit dhe autoritetit në të gjithë Afganistanin mbajnë përgjegjësi – dhe llogari – për mbrojtjen e jetës dhe pronës njerëzore, dhe për rivendosjen e menjëhershme të sigurisë dhe rendit civil”.

Departamenti amerikan i shteti bën thirrje që të lihen të hapura të gjitha linjat e të gjitha llojeve të transporteve për tu mundësuar të largohen ata të cilët duan të ikin nga Afganistani.

“Afganët dhe qytetarët ndërkombëtarë që dëshirojnë të largohen duhet të lejohen ta bëjnë këtë; rrugët, aeroportet dhe vendkalimet kufitare duhet të qëndrojnë të hapura dhe qetësia duhet të ruhet”.

Në fund të letrës, Amerika zotohet se do të ndihmoj popullin afgan që të jetoj në siguri dhe dinjitet, “ne në bashkësinë ndërkombëtare jemi gati t’i ndihmojmë ata”, përfundon komunikimi i përbashkët për medie.

Në këtë deklaratë të përbashkët përfshihen këto shtete:

Shqipëria, Australia, Austria, Bahamas, Belgjika, Burkina Faso, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Côte d’Ivoire, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka , Republika Dominikane, El Salvador, Estoni, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Shtetet Federale të Mikronezisë, Fixhi, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Gana, Greqia, Guatemala, Guajana, Haiti, Honduras, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Kosova, Letonia, Liberia, Lihtenstein, Lituania, Luksemburgu, Malta, Ishujt Marshall, Mauritania, Mali i Zi, Nauru, Hollanda, Zelanda e Re, Nigeri, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Palau, Panamaja, Paraguai, Polonia , Portugalia, Katari, Republika e Koresë, Republika e Qipros, Rumania, Sierra Leone, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Surinami, Suedia, Togo, Tonga, Uganda, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina dhe Jemeni.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë pëlqimin e saj për strehimin e përkohshme të afganëve civilë në Kosovë, pas kërkesës së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, kërkesë e cila ishte përcjellë tek Osmani nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Osmani pëlqimin e saj e ka bërë të ditur përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, duke shtuar se pëlqimin e një operacioni të tillë humanitar është dhënë mbi parimin njerëzor se “nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Gjithashtu, liderët e partive politike opozitare në Kosovë janë shprehur të gatshëm të mbështesin strehimin e refugjatëve afgan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore