Lajme

Amazon-i, fitimtar kundër urdhrit të BE-së


Kompania teknologjike, Amazon, ka fituar betejën kundër një urdhri të Bashkimit Evropian për të paguar afro 250 milionë euro apo ndryshe 303 milionë dollarë si taksë të prapambetur ndaj Luxemburg-ut.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se gjykata e dytë e lartë e Evropës i dha një goditje bllokut kundër marrëveshjeve të padrejta tatimore për shumëkombëshet.

Ndërkohë, një rast tjetër i ndërmarrjes franceze të quajtur Engie, ndryshe nga Amazon-i e humbi ankimimin e saj kundër një urdhri të BE-së për të paguar një taksë të prapambetur ndaj Luxemburg-ut prej 120 milionë eurosh ose 145.7 milionë dollarësh.

Me bazë në Luxemburg, Gjykata e Përgjithshme, është shprehur se kompania amerikane nuk kishte gëzuar një avantazh selektiv në marrëveshjen e saj të taksave me Luxemburg-un.

“Komisioni nuk provoi standardin e duhur ligjor që kishte një zbritje të padrejtë të barrës tatimore të një filiali evropian të grupit Amazon”, ka thënë gjykatësi.

Vendimi konsiderohet një goditje për nënkryetaren ekzekutive të komisionit, Margrethe Vestager, e cila po drejton një fushatë për të frenuar tepricat e pretenduara nga disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë në botë në të cilat përfshihet edhe Amazon-i.

Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Përgjithshme e hodhi poshtë urdhrin e saj për prodhuesin e iPhone-it, Apple-in, për të paguar 13 miliardë euro ose ndryshe 15 miliardë dollarë për taksat e prapambetura irlandeze.

Ndërsa në vitin 2019, e njëjta gjykatë refuzoi urdhrin e saj për Starbucks-in. Ky për të paguar 30 milionë euro në taksat e prapambetura holandeze.

Nënkryetarja e komisionit ka bërë që këto vende të ndryshojnë praktikat e tyre të qeverisjes së taksave. Gjithashtu ka nxitur Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) për të synuar një marrëveshje globale lidhur me taksimin e kompanive shumëkombëshe.

Në vitin 2017, Komisioni Evropian ka thënë në vendimin e marrë se Grand Duchy i ka kursyer shitësit me pakicë në internet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga pagimi i taksave në pothuajse tre të katërtat e fitimeve të saj nga operacionet e BE-së. Gjë që e ka lejuar atë të drejtojë fitimet në një kompani mbajtëse pa taksa.

Në vitin 2018, vendimi i BE-së për Engie-në, thoshte se marrëveshja me autoritetet e Luxemburg-ut uli në mënyrë artificiale barrën e taksave të kompanisë çka do të thoshte se paguante një normë efektive të taksës së korporatave prej 0.3 për qind për fitime të caktuara në vend. Kjo për rreth një dekadë.

Reuters bën me dije se gjykata doli në krah të komisionit duke thënë se ndërmarrja franceze kishte përfituar nga një avantazh tatimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore