Pajisje

Amazon-i do të heqë më shumë nga përmbajtja që shkel rregullat e shërbimit cloud


Kompania teknologjike, Amazon.com Inc, planifikon të marrë një qasje më proaktive për të përcaktuar se çfarë lloj përmbajtje shkel politikat e saj të shërbimit cloud, të tilla si rregullat kundër promovimit të dhunës dhe të zbatojë heqjen e asaj përmbajtjeje.

Megjithatë, kjo lëvizje ka gjasa të rindezë debatin se sa kompetenca duhet të kenë kompanitë e teknologjisë për të kufizuar fjalën e lirë.

Kështu kanë bërë me dije dy burime me njohje mbi çështjen për agjencinë e lajmeve, “Reuters”.

Gjatë muajve të ardhshëm, Amazon-i pritet të punësojë një grup të vogël njerëzish në sektorin e saj të shërbimeve web (AWS) për të zhvilluar ekspertizë dhe për të punuar me studiues të jashtëm për të monitoruar kërcënimet e ardhshme.

Sipas firmës kërkimore, Gartner, kjo mund ta kthejë Amazon-in, ofruesin kryesor të shërbimeve cloud në të gjithë botën me 40 për qind të tregut, në një nga arbitrat më të fuqishëm në botë të përmbajtjes së lejuar në internet.

Javën e kaluar, kompania doli në titujt e “The Washington Post” për mbylljen e një faqeje web-i që shfaqte propagandë të Shtetit Islamik teksa manifestonte bombën që vrau rreth 170 afganë dhe 13 trupa amerikane në Kabul të enjten e kaluar.

Qasja proaktive ndaj përmbajtjes vjen pasi Amazon-i e hoqi aplikacionin e mediave sociale, Parler, nga shërbimi i tij cloud menjëherë pas trazirave të Capitol-it të 6 janarit për lejimin e përmbajtjes që promovon dhunë.

“AWS Trust & Safety punon për të mbrojtur klientët, partnerët dhe përdoruesit e internetit nga aktorët e këqij që përpiqen të përdorin shërbimet tona për qëllime abuzive ose të paligjshme. Kur AWS vihet në dijeni të sjelljes abuzive ose të paligjshme në shërbimet AWS, ata veprojnë shpejt për të hetuar dhe angazhuar me klientët për të ndërmarrë veprimet e duhura”, ka sqaruar kompania.

Gjithashtu ka shtuar se “AWS Trust & Safety nuk rishikon paraprakisht përmbajtjen e pritur nga klientët tanë. Ndërsa AWS-ja vazhdon të zgjerohet, ne presim që ky ekip të vazhdojë të rritet”.

“Reuters” tregon se aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut po mbajnë gjithnjë e më shumë jo vetëm faqet e internetit dhe aplikacionet përgjegjëse për përmbajtje të dëmshme, por edhe infrastrukturën themelore të teknologjisë që u mundëson atyre vendeve të funksionojnë.

Kjo teksa konservatorët kundërshtojnë kufizimin e fjalës së lirë.

Tanimë, AWS ndalon shërbimet e veta të përdoren në mënyra të ndryshme, të tilla si aktivitete të paligjshme ose mashtruese, për të nxitur ose kërcënuar dhunën ose për të promovuar shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve. Kjo referuar politikës së pranimit të përdorimit.

Së pari, Amazon-i kërkon nga klientët të heqin përmbajtjen që shkel politikat e saj ose të kenë një sistem për të moderuar përmbajtjen. Nëse firma nuk mund të arrijë një marrëveshje të pranueshme me klientin, mund ta heqë faqen e internetit.

Sipas “Reuters”, kompania amerikane synon të zhvillojë një qasje ndaj çështjeve të përmbajtjes me të cilat ajo dhe ofruesit e tjerë të cloud-it po përballen më shpesh, të tilla si përcaktimi kur dezinformimet në faqen e internetit të një kompanie arrijnë një shkallë që kërkon veprim nga AWS-ja.

Burimi mbi çështjen ka zbuluar se ekipi i ri nuk planifikon të analizojë sasi të mëdha të përmbajtjes që kompanitë presin në cloud, por do të synojë të dalë përpara kërcënimeve të ardhshme, të tilla si grupet ekstremiste në zhvillim, përmbajtja e të cilave mund të hyjë në cloud.

Aktualisht, Amazon-i po punëson një drejtues global të politikës në ekip, i cili është përgjegjës për “mbrojtjen e AWS-së kundër një larmie të madhe abuzimesh”, sipas një postimi pune në faqen e vet të internetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore