Shqipëria

Aliu: Kemi hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Shqipërinë


Foto e publikuar më 28 dhjetor nga ministri Liburn Aliu.

Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ka bërë të ditur të premten se janë hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

Lajmin e ka bërë të ditur Aliu, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Tashmë kemi hapur zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë, synim ky i kamotshëm që shënon një arritje tejet të rëndësishme në fushën diplomatike të dy shteteve tona”.

Aliu, ka thënë se fluturimet drejt vendeve të Perëndimit do të shkurtohen për gati 15 minuta.

“Fluturimet në drejtim të perëndimit dhe ato reciproke janë shkurtuar dukshëm, e përveç se po udhëtojmë lirshëm pa viza në zonën schengen, tani qytetarët tanë po përfitojnë substancialisht edhe nga optimizimi i kohës në udhëtime”, ka shkruar ai.

Edhe para një jave, Aliu kishte njoftuar se Kosova i ka hapur korridoret ajrore me Shqipërinë.

“Sapo u hapen zyrtarisht korridoret ajrore me Republikën e Shqipërisë. Fluturimet për në perëndim dhe anasjelltas shkurtohen për së paku 15 minuta.  Nga 1 janari bashkatdhetarët përveç që do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, kishte shkruar ai.

Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.

Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), i cili menaxhon hapësirën e ulët ajrore të vendit, marrëveshja nuk ishte zbatuar më herët për shkak të disa procedurave teknike që është dashur të miratohen nga Shqipëria dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore