Lajme

Aliu dhe Kamberi nga Dheu i Bardhë: Shqiptarët nga Lugina të votojnë listën që paraqet rezistencën kryesore ndaj regjimit antishqiptar


Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, ish deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Ardita Sinani.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu së bashku me ish deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, nga Dheu i Bardhë kanë bërë thirrje tek shqiptarët që të votojnë listën e subjekteve të bashkuara shqiptare.

Aliu kërkesën e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Bashkë me Arditën, Hysin, Kadriun dhe Ragmiun u takuam me Shaip Kamberin, bartësin e Listës së subjekteve të bashkuara shqiptare “Beteja Politike e Shqiptarëve Vazhdon – Shaip Kamberi’’, për t’i shprehur mbështetjen tonë dhe për t’i bërë thirrje secilit shqiptar nga Lugina që të votojë këtë listë që paraqet rezistencën kryesore ndaj një regjimi antishqiptar, autoritar dhe jodemokratik siç është ky aktual në Serbi”, ka thënë ai.

Ndërsa, ka njoftuar që në vitin 2024 do të vazhdoj ndërtimi i autostradës së Gjilanit, nga Bresalci deri tek Dheu i Bardhë.

“Tek Dheu i Bardhë, kalimi kufitar që na lidhë me Luginën, e që vitin e ardhshëm po e vazhdojmë ndërtimin e autostradës së Gjilanit, nga Bresalci deri tek Dheu i Bardhë”.

Më 3 dhjetor ish-deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi, së bashku me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, janë takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e kanë njoftuar për ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit që do të mbahen në Serbi.

“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm. Njoftuam kryeministrin për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament”, kishte shkruar Kamberi në Facebook.

Prandaj, sipas Kamberit, është me rëndësi që në zgjedhjet e 17 dhjetorit të vazhdohet përfaqësimi i drejtë dhe se “duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi”.

Në zgjedhjet parlamentare në Serbi, deri më tani, nga radhët e shqiptarëve, është paraqitur vetëm një listë zgjedhore, Koalicioni “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.

Kamberi, i cili ka qenë deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, synon që ta marrë edhe një mandat.

Nga ana tjetër, Kurti është akuzuar, sidomos nga Kryetari i Preshevës, Shqiprim Afrifi, se po krijon përçarje tek shqiptaret që jetojnë në Serbi.

Por, mospajtimet në mes të Arifit dhe Kurtit janë krijuar pasi që i fundit i ka dhënë mbështetje kundërshtarëve politikë të Arifit në Luginë të Preshevës.

Ai e ka mbështetur Ardita Sinanin – tanimë këshilltare e tij – në kohën kur Arifi po tentonte që ta zinte vendin e saj në krye të Komunës së Preshevës.

Ndaj akuzave të Arfiti, deri më tani – asnjëherë – nuk u është përgjigjur kreu i ekzekutivit kosovar.

Zgjedhjet në Serbi do të monitorohen nga 30 vëzhgues afatgjatë dhe 250 vëzhgues afatshkurër, ka njoftuar javën e kaluar kreu i Zyrës së OSBE-së për të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Albert Johnson, përfshirë procesin e votimit, qendrat e votimit dhe numërimin e votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e tensioneve pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore