Aplikacione

Algoritmi i TikTok-ut drejton përdoruesit drejt lajmeve të rreme për luftën në Ukrainë


Brenda pak minutave nga regjistrimi në aplikacionin TikTok, ai mund t’i shfaqë përdoruesit gënjeshtra në lidhje me luftën në Ukrainë.

Kështu ka rezultuar nga një hetim i NewsGuard.

Kompania, e cila monitoron besueshmërinë e organeve të lajmeve në të gjithë web-in, kreu një çift testesh për të vlerësuar se si aplikacioni i ndarjes së videove trajtoi informacionin rreth konfliktit.

Por zbuloi se një llogari e re drejtohej drejt përmbajtjes së rreme brenda 40 minutave.

“Në fund të eksperimentit 45-minutësh, burimet e analistëve ishin të mbushura me përmbajtje të sakta dhe të rreme në lidhje me luftën në Ukrainë pa asnjë dallim midis keqinformimeve dhe burimeve të besueshme”, ka treguar ekipi hulumtues.

Sakaq, “asnjë nga videot e dhëna nga algoritmi nuk përmbante ndonjë informacion në lidhje me besueshmërinë e burimit, paralajmërime, kontrolle faktesh ose informacion shtesë që mund të fuqizonte përdoruesit me informacion të besueshëm”.

Mes pretendimeve të rreme ishte edhe miti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë laboratorë të armëve biologjike në Ukrainë.

Madje edhe akuza se Putin-i ishte “fotoshopuar” në pamjet e një konference për shtyp që ai dha në fillim të marsit.

“Disa nga mitet në videot e algoritmit të TikTok-ut të dhëna për analistët janë identifikuar më parë si propagandë e Kremlin-it”, kanë thënë studiuesit.

Ekipi hulumtues, për të kryer testin, thjesht hapi llogari të reja në aplikacion dhe kaloi 45 minuta duke lëvizur nëpër faqen For You, duke ndaluar për të parë të plotë çdo video që dukej sikur ishte në lidhje me luftën në Ukrainë.

Paçka se platforma nuk ofron një përmbledhje të detajuar se si algoritmi peshon sinjalet, kompania ka thënë se merr parasysh kohën e kaluar duke parë video të ndryshme, si dhe sinjale të tjera duke përfshirë pëlqimet, komentet dhe kë ndjek ose kë ka bllokuar një përdorues.

Funksioni ka kombinuar në mënyrë të ngjashme përmbajtje reale dhe të rreme, duke ofruar video që përmbanin pretendime të rreme në 20 rezultatet kryesore për kërkimet “Ukrainë”, “Rusi”, “Lufta”, “Kiev” dhe “Donbas”.

Mirëpo, një zëdhënës i TikTok-ut ka paralajmëruar se eksperimenti mund të ofrojë vetëm përfundime të kufizuara në lidhje me mënyrën se si funksionon aplikacioni në botën reale.

Kjo pasi ai nuk arrin të imitojë sjelljen standarde të pamjes.

“Vazhdojmë t’i përgjigjemi luftës në Ukrainë me burime të shtuara sigurie teksa punojmë për të hequr keqinformimet e dëmshme dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e një përvoje të sigurt në TikTok”, ka thënë ai.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore