Lajme

Alarm për Diplomacinë dhe Politikën e Jashtme të Kosovës


Lobimi diplomatik

Riaktivizohet diplomacia serbe për ç’njohjen e Kosovës

Lobimi i diplomacisë serbe për ç’njohjen e Kosovës ishte riaktivizuar ende pa përfunduar moratoriumi i Marrëveshjes së Uashingtonit.

Fokus kryesor i diplomacisë serb janë shtetet në kontinentin afrikan, përfshirë edhe shtetet në Afrikën Perëndimore të cilat tradicionalisht kanë shprehur më së shumti përkrahje për Kosovën.

Beogradi zyrtar gjithashtu po pret çastin e duhur për tu riaktivizuar sërish edhe në disa prej vendeve arabe të cilat kanë njohur Republikën e Kosovës.

Cak kryesor janë shtetet ku mund të ketë tranzicion të pushtetit të brendshëm. Në këto shtete Serbia kërkon që të tërhiqen njohjet për Kosovën duke përfituar kështu nga një shpërqendrim gjeopolitik jashtë Evropës për shkak të rrethanave në Ukrainë dhe përgjithësisht në kufijtë evropian me Rusinë.

Target tjetër i diplomacisë serbe janë gjithashtu edhe shtetet të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tani, si rasti i Laosit, Kenisë, Afrikës së Jugut, Namibisë, Sudanit, Sirisë, Algjerisë, por edhe vendeve të tjera.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mentor Tahiri, për Albanian Post ka thënë se ka së paku katër vite që diplomacia serbe është aktivisht duke minuar njohjet e reja të Republikës së Kosovës, por për më keq se kjo, duke zhbërë njohjet e mëparshme.

“Shtetet e caktuara në këtë drejtim madje kanë nënshkruar marrëveshje të veçanta me Republikën e Serbisë, ku ato zotohen se njohin gjoja territorialitetin dhe sovranitetin e saj, përfshi edhe territorin e Kosovës”.

Ai ka thënë se një ndër këto raste është Sierra Leone, shtet i cili ndër të parët në Afrikë ka njohur Republikën e Kosovës.

Për më keç, “ç’njohja nga Sierra Leone e cila ka ndodhur para tre vitesh, respektivisht 10 vite pasi që ky shtet na ka njohur, po dekurajon njohjen e Kosovës nga vendet e tjera në Afrikën Perëndimore”.

Por, pse ndodh kjo? Sipas politologut Tahiri, kjo ndodhë ngase Afrika Perëndimore është një Union ndërshtetërorë, ku “veç tjerash disa prej shteteve kanë edhe union doganor mes tyre dhe përdorin valutë të njëjtë me ekonomi të integruara dhe deri diku edhe me politika të koordinuara përfshi edhe ato të jashtme”.

Ai thotë se kur një shtet i tillë na ç’njeh, “mund të nxis një domino efekt edhe nga shtetet e tjera në Afrikën Perëndimore”.

Tahiri konsideron se tanimë ka mospërputhje të madhe mes qëndrimit zyrtar të Republikës së Kosovës, respektivisht Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe gjendjes faktike për sa i përket disa prej shteteve. Kjo shihet në trajtimin e numrit të shteteve që na kanë njohur.

“Ne mbajmë qëndrim se na kanë njohur shumë më tepër shtete. Por megjithatë janë 97 shtete të cilat kanë qëndrim të qartë për njohjen e Republikës së Kosovës”.

“Ne nuk duhet të kemi shumë iluzione se mund të llogaritet në disa shtete që na kanë njohur më parë, kurse më vonë janë deklaruar ndryshe. Nuk ka kuptim as diskutimi që e dëgjojmë shpesh nëse në të Drejtën Ndërkombëtare dhe Sistemin Politik Ndërkombëtar ekziston kategoria e ç’njohjes. Rëndësi ka se si veprojnë ato shtete në praktikë”, ka deklaruar ai.

Tani diplomacia serbe është e përqendruar në disa shtete arabe, sub-saharane dhe të sahelit, ku ka pas apo edhe pritet të ketë ndryshime në politikën e brendshme të tyre, thotë Tahiri.

“Një nga këto vende që mund të afektohet shumë lehtë është Libia, varësisht se si peshon atje politika e brendshme, kah cila anë. Në Libi ka aktualisht dy fraksione ku njëri fraksion nuk ka shprehur asnjëherë ndonjë qartësi deklarative lidhur me Republikën e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Politologu, Mentor Tahiri

Diplomacia serbe është aktivizuar gjithashtu edhe në raport me pesë shtetet e Bashkimit Evropian (BE) të cilat nuk e njohin Kosovën. Nga këto vende në vazhdimësi kërkohet që të mbajnë qëndrimin e njëjtë, një lloj status-quo për sa i përket qëndrimit lidhur me shtetësinë e Kosovës.

Barikadimi i këtyre shteteve dhe lobimi i fortë serb në to, diplomacisë kosovare ia vështirëson edhe më shumë punën për njohje, thotë politologu Tahiri.

“Sa i përket vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën, situata tani është më e vështirë se sa vitet e kaluara. Zvarritja e bisedimeve me Serbinë ka bërë lehtë të argumentueshëm qëndrimin e këtyre vendeve që gjoja po presin marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, andaj nuk po lëvizin në këtë drejtim”.

“Përderisa më parë kishte presion nga aleatët e Kosovës kundrejt këtyre shteteve, tani ky presion është amortizuar gjithnjë me argumentin e bisedimeve”, ka thënë ai.

Tahiri për Albanian Post ka thënë se shpreson që politika e jashtme e Kosovës është aktive në këtë drejtim dhe se po ndërmerr veprime të kundër-goditjes ndaj tentimeve të diplomacisë serbe.

“Këto gjëra mund të mos bëhen edhe mediatikisht publike që do të ishte gjithsesi në rregull, por vërtetë situata është alarmante”, konsideron ai.

Ndërtesa e MPJD-së

Ministrja duhet të raportoj para deputetëve për (ç’)njohjet

Anëtarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka thënë se nuk është risi se Serbia lobon për ç’njohjen e Kosovës.

“Një gjë të tillë e ka bërë edhe gjatë kohës sa ishte në fuqi Marrëveshja apo zotimet e Uashingtonit”.

Deputetja Muslia-Shoshi konsideron se mungesa e ambasadorëve dhe përfaqësive aktive të diplomacisë kosovare në kontinentin afrikan, është neglizhencë e ministres së jashtme.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi

“Vlerësoj të jetë neglizhencë nga ministrja e cila na sjell regres në fushën e njohjeve në atë pjesë të rëndësishme të botës”.

Lidhur me këtë çështje ajo vlerëson se “Ministrja duhet që të vijë në KPJD [Komisionin për Politikë të Jashtme dhe Diplomaci të Kuvendit të Kosovës] dhe të raportoj lidhur me ç’njohjet e mundshme dhe njohjet e reja për vendin tonë”, është shprehur deputetja Musliu-Shoshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore