Lajme

Albanian Post qëndron fuqishëm se pajtimi për marrëveshjen arrihet në fund të shkurtit


Foto nga Albanian Post

Të enjten dhe të premten, në komunikimet dhe bisedat zyrtare në mes të Presidencës së Serbisë dhe përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka akuzuar diplomatët perëndimorë se janë duke e përdorur Albanian Post për të transmetuar indirekt presionet dhe, siç është shprehur, edhe kërcënimet ndaj tij dhe Serbisë.

Nëpërmjet burimeve të veta, Albanian Post është në dijeni të plotë mbi natyrën dhe përmbajtjen e këtyre komunikimeve dhe bisedave.

Albanian Post e mirëkupton plotësisht pozicionin e vështirë në të cilin është gjendur i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, pasi që qeveritarët serbë kanë aluduar për lidhshmëri në mes të raportimit tonë dhe deklarimit në Prishtinë të zotëri Escobar për një marrëveshje brenda disa javësh.

Megjithatë, thënë këtë, Albanian Post qëndron fuqishëm prapa raportimit që marrëveshja mbi planin franko-gjerman, përkatësisht mbi atë që këto ditë në Beograd u interpretua si udhërrëfyes i detajuar i hapave që duhet ndjekur deri në normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të arrihet para një vjetorit të sulmeve në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore