Pajisje

Akuzat që rëndojnë mbi Bill Gates-in pas divorcit


Në bazë të një raportimi të ri nga Wall Street Journal, dorëheqja e Bill Gates nga bordi i drejtuesve të Microsoft-it në vitin 2020, ka ardhur pas punësimit nga bordi të një firme ligjore për hetimin e një marrëdhënieje romantike që ai kishte me një nga punonjëset.

Lidhur me këtë, CNN tregon se WSJ duke cituar burime që kanë njohje mbi çështjen thotë se  inxhinierja e Microsoft-it kishte pretenduar se kishte pasur një marrëdhënie romantike me Gates, e cila ishte prej vitesh.

“Gjatë hetimit, disa anëtarë të bordit vendosën që nuk ishte më e përshtatshme për Gates-in që  të ulej në karrigen e drejtuesit në kompaninë e programeve që e nisi dhe e drejtoi me dekada”, kanë thënë burimet duke shtuar se “Gates-i e dha dorëheqjen përpara se të përfundonte hetimi i bordit”.

Një nga zëdhënësit e kompanisë ka konfirmuar për CNN se “Microsoft-i ka marrë një shqetësim në gjysmën e fundit të vitit 2019 që Bill Gates u përpoq të kishte një marrëdhënie intime me një nga punonjëset e kompanisë në vitin 2000”.

Zëdhënësi ka vazhduar se “një komitet i bordit shqyrtoi shqetësimin, ndihmuar nga një firmë ligjore e jashtme, për të kryer një hetim të plotë…gjatë gjithë hetimit, Microsoft-i siguroi mbështetje të gjerë për punonjësen që ngriti shqetësimin”.

Mirëpo, një zëdhënës i Gates-it ka pohuar për WSJ se “vendimi i Bill-it për t’u larguar nga bordi nuk ka qenë në asnjë mënyrë i lidhur me çështjen, ai kishte shprehur një interes për të kaluar më shumë kohë me filantropinë e vet që nisi disa vite më parë”.

Raportimi i WSJ u publikua menjëherë pas një artikulli të veçantë në New York Times që raportonte se Gates-i kishte “zhvilluar një reputacion për sjellje të dyshimta në mjediset e lidhura me punën”.

Në bazë të burimeve të New York Times “të paktën në disa raste, Gates-i ka ndjekur gratë, të cilat punonin për të në Microsoft dhe në Bill and Melinda Gates Foundation”.

Por, zëdhënësi i Gates-it i ka thënë gazetës se “është jashtëzakonisht shumë zhgënjyese që janë publikuar kaq shumë të pavërteta në lidhje me shkakun, rrethanat dhe afatet kohore të divorcit të Bill Gates-it”.

Ai ka shtuar se “pretendimi i keqtrajtimit të punonjësve është gjithashtu i rremë” dhe se “thashethemet dhe spekulimet rreth divorcit të Gates-it po bëhen gjithnjë e më absurde dhe është për të ardhur keq që njerëzit që kanë pak ose aspak njohuri të situatës po karakterizohen si burime”.

Divorci mes çiftit ka ardhur në fillim të këtij muaji kur Melinda Gates, gruaja dhe bashkëthemeluesja e fondacionit të tyre, bëri kërkesë për divorc.

Në një deklaratë të tyre për këtë vendim, ata sqaruan se dhënia fund e martesës kishte ardhur pas një mendimi dhe pune të konsiderueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore