Lajme

Akuza për “trafikim droge dhe armësh”/ Ish-udhëheqësi i Hondurasit kërkon që Biden, Trump dhe Obama të dëshmojnë


Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández, është deklaruar i pafajshëm në një gjykatë të New York-ut përballë akuzave për drogë dhe armë, ndërsa avokati i tij u zotua të thërriste tre ish-presidentë të SHBA-ve dhe një bos droge meksikan të burgosur për të dëshmuar në mbrojtje të tij.

Hernández, i cili u ekstradua muajin e kaluar, u mbajt në pranga në gjyqin e tij në Manhattan të martën, kur u deklarua i pafajshëm për tri akuza penale, duke përfshirë konspiracion për të importuar kokainë dhe posedim armësh.

Prokurorët amerikanë kanë akuzuar Hernandez-in, dikur si një aleat i ngushtë i SHBA-ve, se ka marrë miliona dollarë nga trafikantët e drogës në këmbim të mbrojtjes nga arrestimi, ndërsa drejtonte Hondurasin nga viti 2014 deri në janar të këtij viti.

Hernández i përdori paratë për të pasuruar veten dhe për të financuar fushatat e tij politike, thanë prokurorët.

Jashtë gjykatës, avokati i tij Raymond Colón tha se ai planifikon të thërrasë Joe Biden, Barack Obama-n dhe Donald Trump-in për të garantuar pafajësinë e Hernandez-it, i cili ishte presidenti i parë i Hondurasit që ra dakord për ekstradimin e trafikantëve të drogës nga vendi.

Ish-presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernández

“Pse jo? Biden mund të jetë i zënë me drejtimin e vendit, por nuk mund të mendoj që Trump po bën ndonjë gjë të rëndësishme dhe e di që zoti Obama është në pension, kështu që…”, tha Colón.

Colón gjithashtu  tha se do të thërriste bosin meksikan të drogës Joaquín “El Chapo” Guzmán, i cili po vuan dënimin e përjetshëm në SHBA për akuzat e trafikut të drogës.

Bosi i drogës, Joaquín “El Chapo” Guzmán

Më herët, Colón i tha gjykatësit se Hernández është mbajtur për tri javë në izolim si një “i burgosur lufte”.

“Ne nuk po kërkojmë që ai të marrë trajtim të veçantë, veçse është një ish-kryetar shteti, por këto kushte janë psikologjikisht dobësuese”, tha ai.

“Ai nuk është një terrorist. Nuk ka dhunë në historikun e tij”.

Hernández i ka mohuar akuzat, duke e portretizuar veten si një kundërshtar të ashpër të karteleve të drogës dhe duke akuzuar trafikantët se e shantazhojnë atë për t’u hakmarrë dhe për të lehtësuar dënimet e tyre.

Administrata Trump mbylli një sy ndaj akuzave, ndërsa Hernández vazhdoi t’i përkulej vullnetit të agjendës së saj të migracionit.

Por, administrata Biden, e cila është zotuar të luftojë korrupsionin si pjesë e planit të saj për të adresuar shkaqet rrënjësore të migrimit, e shmangu presidentin në largim gjatë muajve të tij të fundit në detyrë.

Një zëdhënës i Byrosë së Burgjeve të SHBA-ve konfirmoi se Hernández po mbahej në institucionin e paraburgimit në Bruklin, por nuk pranoi të komentonte mbi “kushtet e izolimit të çdo të burgosuri individual”.

Gjyqtari Kevin Castel caktoi datën e gjykimit paraprak më 17 janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore