Kosova

Aktakuzë ndaj 35 zyrtarëve policorë për marrje ryshfeti


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës, këtë të martë, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 23 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Prush”.

Zyrtarët Policorë, sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, ngarkohen për vepra penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ’Qafë Morinë’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Speciale, këtë të marte, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe kundër dy zyrtarëve doganorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit “Qafë Prush”

Dy zyrtarët doganorë, njëjtë si 35 zyrtarë policorë, po akuzohen për marrje ryshfeti.

“Prokurori Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘Qafë Prush’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore