Lajme

Aksioni në Karaçevë: Arrestohen edhe dy të dyshuar


Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Pas aksionit të policisë së Kosovës në zonën e Karaçevës më 15 dhjetor nga i cili janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar edhe 96 aparata të lojërave të fatit, të martën e 21 dhjetorit PK-ja ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe dy të dyshuar.

Të njëjtit dyshohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm në fshatin Karaçevë.

“Janë arrestuar dy persona të dyshuar që ishin në kërkim policor, pas intervistimit në cilësinë e të dyshuarve dhe në prezencë të avokateve mbrojtës, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, bëhet e ditur se hetimet janë duke vazhduar edhe ndaj të dyshuarve të tjerë.

“Lidhur me këtë rast hetimet janë në vazhdim e sipër dhe në kërkim edhe të dyshuarave tjerë”.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Po ashtu, në vendngjarje në fshatin Karaçevë, Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje.

“Dy objekte kanë qenë duke ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër është mbyllur dhe shirtuar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë”, kishte bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Operacioni policor ka filluar në orët e hershme të mëngjesit të 15 dhjetorit, si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Nga ky aksion Inspektoriati i Policisë së Kosovës kishte arrestuar disa zyrtarë të Policisë si të dyshuar për lidhje me kazinotë ilegale në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo në brezin kufitar Kosovë Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore