Lajme

Aksioni në Karaçevë: Arrestohen dy persona dhe sekuestrohen 96 aparata të lojërave të fatit


Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Më 15 dhjetor, policia e Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka zhvilluar një operacion të ri në zonën e Karaçevës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, për Albanian Post ka bërë të ditur detaje pas përfundimit të operacionit “Organizim të skemave piramidiale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Në këtë rast janë arrestuar dy persona të cilët janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë”, ka thënë Hashani.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe prova materiale.

“96 aparata të lojërave të fatit, katër shtëpiza kompjuterike, tre llaptop, tre monitor, dy televizion që janë përdorur për lojëra të fatit, një pistoletë e llojit Ekol special 99 së bashku me shtatëmbëdhjetë 17 fishekë, një gjenerator si dhe 469, 15 euro (të gjeturat në aparatet e lojërave të fatit).

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

Po ashtu, në vendngjarje në fshatin Karacevë Inspeksioni Komunal i Komunës së Dardanës ka asistuar policinë e Kosovës në rrënimin e tri objekteve të cilat janë ndërtuar pa leje.

“Dy objekte kanë qenë duke ushtruar veprimtaritë e kundërligjshme të lojërave të fatit, ndërsa një objekt tjetër është mbyllur dhe shirtuar nga Inspeksioni Komunal, Dardanë”.

Hashani u shpreh se të gjitha provat materiale i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtutjeshme.

Ndërkaq, lidhur me këtë rast PK-ja thotë se janë duke vazhduar hetimet, “në kërkim të personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm në këtë rast”.

Policia e Kosovës gjatë aksionit në Karaçevë.

“Rasti është duke u hetuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Gjilan në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Themelore përfshirë edhe kërkimin e disa personave të tjerë si të dyshuar të mundshëm”.

Operacioni policor ka filluar në orët e hershme të mëngjesit si rezultat i një hetimi në vazhdimësi dhe të bashkërenduar me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm dhe aktivitete tjera.

Aksione të tilla, policia ka pasur edhe në të kaluarën pasi organizimi i skemave piramidale në fshatin kufitar në Karaçevë është një dukuri e shpeshtë.

Nga ky aksion Inspektoriati i Policisë së Kosovës kishte arrestuar disa zyrtarë të Policisë si të dyshuar për lidhje me kazinotë ilegale në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, zonë kjo në brezin kufitar Kosovë Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore