Shqipëria

Aksion i madh policor pas aksidenteve në vend, 66 patenta pezullohen në 12 orë dhe qindra gjoba vendosen


Shërbimet e Policisë Rrugore kanë kaluar në gatishmëri të lartë pas një numri të lartë aksidentesh me pasojë vdekjen në ditët e fundit në gjithë vendin, ku vetëm në 24 orë, gjashtë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën.

Në bazë të një njoftimi zyrtar nga strukturat e rrugores, vetëm gjatë natës së 10 marsit, janë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit 66 persona, 53 prej të cilëve për shpejtësi tej normave të lejuara dhe 13 të tjerë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit.

Nga ana tjetër, janë marrë 122 masa administrative për shpejtësi mbi normat e lejuara, pa sanksionin plotësues për pezullimin e lejes së drejtimit.

Për përdorimin e celularit gjatë guidës, janë marrë 87 masa administrative, 106 të tjera për mosvendosje të rripit të sigurimit, 11 për manovra për gabuara dhe gara shpejtësie, si edhe 23 për mosvendosje të kaskës, sa i përket drejtuesve të motomjeteve.

Një apel ka shkuar për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri rregullat e qarkullimit rrugor.

Apeli më i rëndësishëm, mbetet ai i uljes së shpejtësisë dhe respektimit të limiteve të lejuara.

6 vdekje në 24 orë në rrugët shqiptare

Gjithçka nisi me atë më të frikshmin, të ndodhur në zonën e Saukut, pranë vendit të njohur si mbikalimi i Teg-ut, ku për shkak të shpejtësisë së lartë, në një skenar thuajse kinematografik, një mjet tip “Audi” çau rrethimin e një mbikalimi dhe fluturoi për disa metra brenda autostradës, ku goditi një tjetër mjet në lëvizje, mbi kofano.

Si pasojë, të vdekura në vend mbetën dy vajza, njëra 22 dhe tjetra 23 vjeç.

Më pas, në Spitalin e Traumës, drejtuesi i mjetit, 20-vjeçari Klevis Ruçaj, ndërroi jetë po ashtu.

Teksa, tre persona që gjendeshin në mjetin që u godit nga Reçaj, u plagosën.

Ky aksident risolli edhe një herë vëmendjen e madhe drejt rregullave të qarkullimit dhe pasojave me të cilat shoferët problematikë që tejkalojnë shpejtësinë duhet të maten.

Mirëpo, nga ana tjetër, solli vëmendje të shtuar edhe ndaj rasteve të tjera të tilla, ku rishtaz u regjistruan tre vdekje të tjera nga aksidentet, brenda një dite.

Fillimisht, mesditën e 10 marsit u raportua në Durrës një aksident fatal, ku në afërsi të spitalit të qytetit, një betoniere përplasi për vdekje një 71-vjeçar, i cili po ngiste biçikletën. Ai gjeti vdekjen e menjëhershme nga plagët e marra.

Më pas, në Kavajë, një drejtuese e një automjeti tip “Golf”, humbi kontrollin e mjetit dhe përfundoi në kanal, duke gjetur edhe vdekjen.

Orët e vona të pasdites nuk do ta kursenin sërish jetën, kur në aksin Maliq-Korçë, një automjet, i cili është larguar më pas nga vendngjarja, përplasi një këmbësor 39-vjeçar, duke e lënë të vdekur në vend.

Rastet më të lehta u regjistruan po ashtu në Shëngjin dhe Fier, ku fillimisht, u raportua se në hyrje të Shëngjinit, një mjet kishte përplasur një fëmijë 7-vjeçar, duke e plagosur, por fatmirësisht jashtë rreziku për jetën.

Drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja.

Në Fier, një person 60-vjeçar mbeti i lënduar thuajse në të njëjtën mënyrë, duke marrë plagë të konsiderueshme, por jashtë rreziku për jetën.

Teksa, në aksin Kardhiq-Delvinë, dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore