Lajme

Aksidenti në Lepenc, kërkohet paraburgim për 64-vjeçain që dyshohet se e shkaktoi aksidentin


Prokuroria Themelore Publike në Shkup të Maqedonisë Veriore ka kërkuar masën e paraburgimit prej 48-orëve për 64-vjeçarin nga Shkupi nën dyshimin se është përfshirë në aksidentin e trafikut, ku si pasojë automjeti me targa të Kosovës kishte rënë në lumin Lepenc dhe kanë vdekur tre persona.

“Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sot në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është paraburgosur pas mbrëmjes së aksidentit”, thuhet në njoftim.

Vetura e aksidentuar është gjetur në lumin Lepenc të dielën, rreth 200 metra larg vendit të aksidentit tragjik ku janë përfshirë një veturë e tipit Volkswagen me targa të Maqedonisë së Veriut dhe një veturë BMW me targa të Kosovës, me të cilën po udhëtonin katër persona, qytetarë të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella pas aksidentit tragjik që ndodhi të shtunën në rrugën Shkup – Bllacë, ku për pasojë kanë mbetur të vdekur tre persona, shtetas të Kosovës.

“Sapo u njoftova nga autoritetet tona se vetura e aksidentuar mbrëmë dhe e rënë në lumin Lepenc në Shkup është gjetur dhe në të janë trupat e pajetë të tre qytetarëve tanë. Shkëlqimit i cili i mbijetoi këtij aksidenti i uroj shërim sa më të shpejtë e forcë për të përballuar dhimbjen e humbjes së prindërve e vëllait të tij”, shkroi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore