Shqipëria

Aksi Korçë-Ersekë, Balluku inspekton punimet


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mesditën e 27 dhjetorit ka inspektuar punimet për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë.

Ajo bëri të ditur se po avancojnë përditë punimet për ndërtimin e lotit II, “të këtij aksi të shumëpritur nga banorët, por edhe për vizitorët që udhëtojnë drejt kësaj zone me plot potenciale”.

Balluku shoqërohej nga drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, dhe inxhinieri për finalizimin e projektit për ndërtimin e këtij aksi.

Berberi theksoi se, “pranverën e ardhshme do të përfundojë ky segment – loti II – për t’i dhënë frymë gjithë kësaj zone”.

Ndërsa Balluku shtoi se, pas përfundimit të këtij loti, do të hapet kantieri tjetër për lotin III.

“Kjo rrugë, e cila është 35 km e gjatë, do të përshkohet për 20 minuta”, vijoi Balluku në fjalën e saj.

Ndër të tjera, ajo tha se, “jemi shumë pranë përfundimit të volumeve më të mëdha të këtij kantieri”.

Afati për përfundimin e punimeve është tetori i vitit 2022, po Berberi dhe Balluku thanë se, “jemi shumë më përpara këtij afati për të mbyllur punimet”.

Balluku e mbylli fjalën e saj, duke thënë se ky ndërtim do t’i sjellë zonës një zhvillim të menjëhershëm ekonomik dhe turistik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore