Pajisje

Aksesorët anti-5G që janë zbuluar si radioaktivë


Disa byzylykë dhe aksesorë për të cilët pretendohet se “mbrojnë” njerëzit që i mbajnë nga rrjetet celulare 5G janë zbuluar të jenë radioaktivë.

ANVS, ndryshe autoriteti holandez për sigurinë bërthamore dhe mbrojtjen nga rrezatimi, ka nxjerrë ​​një paralajmërim për dhjetë produkte që lëshonin rrezatim të dëmshëm jonizues.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se autoriteti u ka drejtuar thirrje njerëzve që të mos përdorin produktet, të cilat mund të shkaktojnë dëm nëse mbahen në një periudhë kohore afatgjatë.

Nga ana tjetër, nuk ka prova që rrjetet 5G dëmtojnë shëndetin e njerëzve.

Këto rrjete, për Organizatën Botërore të Shëndetësisë janë të sigurta dhe në thelb, nuk ndryshojnë nga sinjalet ekzistuese 3G dhe 4G.

Paçka kësaj, ka pasur sulme ndaj transmetuesve nga njerëz që besojnë se janë të dëmshëm.

Produktet e identifikuara përfshinin një maskë gjumi, Energy Armor, byzylyk dhe aksesorë të tjerë.

Një byzylyk për fëmijë i quajtur Magnetix Wellness është zbuluar se lëshon rrezatim.

Për të, ANVS-ja ka njoftuar që mos të përdoret dhe gjithashtu ka deklaruar që të ndërpritet menjëherë shitja.

Gjithashtu shitësit duhet të informojnë klientët e tyre për këtë.

Referuar “BBC”-së, kanë qenë teoritë e konspiracionit ato që kanë nxitur një treg të pajisjeve “anti-5G” që në të shumtën e rasteve nuk kanë rezultuar me ndonjë efekt negativ.

Në muajin maj të vitit të kaluar, Standardet Tregtare të Mbretërisë së Bashkuar u përpoqën të ndalonin shitjet e një USB-je me vlerë 339 paund që pretendonte se ofronte “mbrojtje” nga rrjeti 5G.

Të ngjashme pajisje janë shitur edhe në Amazon. Dhe ky i fundit, ka publikuar një listë të plotë në faqen e internetit për ato produkte që i ka identifikuar si radioaktive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore