Lajme

AKI: Gjendja e sigurisë në Veri e qetë, por ka mundësi të përshkallëzohet


Patrullimit e EULEX-it

Pasi raportimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili është mbajtur me dyer të mbyllura, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu në një konferencë për media ka thënë se gjendja e sigurisë në Veri është e qetë.

Por, që sipas Musliut, ka mundësi të përshkallëzimit.

“Sa i përket gjendjes së sigurisë, mund të konstatojmë se, në bazë të asaj që dëgjuam nga drejtori, gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi është e qetë, por gjithmonë me mundësi të përshkallëzimit”, ka thënë Musliu.

Ndërkaq, ka apeluar nga të gjithë që të jenë kujdes në veprime.

“Ne duhet të jemi vigjilentë, të matur në çdo veprim që bëjmë atje, për të mos provokuar situatën. Deri më tani çdo gjë është nën kontroll dhe është duke funksionuar. Është e vërtetë që stacionet policore atje janë të boshatisura, mirëpo Policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë atje”.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

Ndërkaq, vlerësoi se institucionet e sigurisë së vendit janë në krye të detyrës dhe janë të gatshme për çdo provokim të mundshëm.

Raportimi në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë është mbajtur me dyer të mbyllura.

Kjo kërkesë ka ardhur nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, pasi do të diskutohet për zhvillimet e fundit në Veri.

Pas largimit të Policisë në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, gjykatësve dhe prokurorëve serbë, të mërkurën dorëheqjet e tyre kanë dorëzuar edhe zyrtarët e lartë të Komisioneve Komunale Zgjedhore.

Me njoftimin se do të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme për zëvendësimin e kryetarëve të komunave dhe deputetëve serbë të cilët dhanë dorëheqje, kryetarët e komisioneve zgjedhore komunale në mënyrë të organizuar me qëllim të bojkotimit të këtij procesi kanë dhënë dorëheqje në mëngjesin e sotëm nga pozitat e tyre.

Një gjë të tillë ka konfirmuar për mediumin serb me seli në Kosovë, Kosovo Online, zyrtari i lartë i KKZ-së për Mitrovicën e Veriut, Slobodan Dimitrijeviç.

Në anën tjetër të martën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në anën tjetër zyrtarë të Policisë së Kosovës, pas vendimit të Listës Serbe për t’u larguar nga të gjitha institucionet kanë larguar nga trupi i tyre uniformat e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore