Aplikacione

Airbnb, strehim pa pagesë për 20 mijë refugjatë afganë


Airbnb, platformë e akomodimit online, ka njoftuar se do të strehojë 20 mijë refugjatë afganë kundrejt asnjë pagese, kjo për t’i ndihmuar ata të zhvendosen në të gjithë botën.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se shefi i kompanisë ka bërë me dije se masa e ndërmarrë prej kompanisë ishte në përgjigje të “një prej krizave më të mëdha humanitare të kohës sonë”.

Ai ka treguar se firma ndjeu se duhej të rritej në lartësinë e përgjegjësisë.

Brian Chesky, shefi ekzekutiv, ka shtuar se “shpresoj që kjo të frymëzojë drejtuesit e tjerë të biznesit të bëjnë të njëjtën gjë. Nuk ka kohë për të humbur”.

“Teksa dhjetëra mijëra refugjatë afganë vendosen në të gjithë botën ku ata do të qëndrojnë, do të jetë kapitulli i parë në jetën e tyre të re. Për këta 20 mijë refugjatë, shpresa ime është që komuniteti Airbnb t’u sigurojë atyre jo vetëm një vend të sigurt për të pushuar dhe që të fillojnë nga e para, por edhe një mirëseardhje të ngrohtë në shtëpi”, ka vijuar ai.

Kjo nismë e kompanisë fillon menjëherë dhe ajo ka sqaruar se po punonte me organizatat joqeveritare “në terren” për të ndihmuar me nevojat më urgjente.

Ai ka thënë gjithashtu se do të bashkëpunonte me agjencitë e zhvendosjes dhe partnerët “për të shkuar atje ku është nevoja” dhe për të zhvilluar nismën dhe mbështetjen e saj sipas nevojës.

“Duke filluar nga sot, Airbnb do të fillojë strehimin e 20 mijë refugjatëve afganë globalisht pa pagesë”, ka shkruar Chesky në platformën Twitter.

“Teksa ne do të paguajmë për këto qëndrime, ne nuk mund ta bëjmë këtë pa bujarinë e mikpritësve tanë”, ka veçuar ai.

Sipas kompanisë, kostoja e qëndrimeve do të financohej përmes kontributeve nga Airbnb dhe Chesky, si dhe donatorëve në Fondin e Refugjatëve Airbnb.org.

Ndërkohë, ka kërkuar nga vullnetarët që ta kontaktonin, duke theksuar se “zhvendosja e refugjatëve afganë në SHBA dhe gjetkë, është një nga krizat më të mëdha humanitare të kohës sonë”.

Njerëzit në krizë

Kurse pronarët e pronave që strehojnë të ardhurit nga Airbnb janë inkurajuar prej kohësh të dhurojnë qëndrime në shtëpitë e tyre për “njerëzit në krizë”.

Kjo skemë ndihme nisi në përgjigje të Uraganit Sandy në vitin 2012, kur më shumë se një mijë njerëz kishin nevojë për strehim urgjent pasi qyteti i New York-ut u godit.

Prej asaj kohe, kompania pretendon se ka ndihmuar më shumë se 75 mijë njerëz.

Në vitin 2017, kompania nisi iniciativën e saj “Shtëpi të Hapura” për të lejuar komunitetin pritës të ofrojë shtëpi pa pagesë për njerëzit e goditur nga fatkeqësitë ose konfliktet.

Që atëherë, nisma ka ofruar qëndrim falas për njerëzit e prekur nga tërmeti i qytetit të Meksikës, zjarret në Kaliforni, zjarret në Australi dhe fatkeqësi të tjera.

Kjo ka lejuar gjithashtu që kompania të krijojë organizatën e saj jofitimprurëse të pavarur, Airbnb.org, për t’u përqendruar në ndihmën e njerëzve për të ndarë banesat dhe burimet me njëri-tjetrin në kohë krize.

Javën e kaluar, organizata dha fonde dhe mbështetje emergjente për Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, HIAS dhe Church World Service, për të siguruar qëndrime të përkohshme për deri në një mijë refugjatë afganë që mbërrijnë.

“Strehimi i arritshëm është urgjentisht i nevojshëm dhe thelbësor”, ka thënë David Miliband, president i Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore