Lajme

Ahmeti viziton Haradinajn: Liria sot e ka emrin Nasim, nesër do ketë Hashim, Kadri, Jakup e Rexhë


Ali Ahmeti

“Liria sot, e ka emrin Nasim [Haradinaj], e nesër Hashim [Thaçi] e Kadri [Veseli], Jakup [Krasniqi] e Rexhë [Selimi], ndërsa përgjithmonë në historinë tonë, liria do ta ketë emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Ali Ahmeti.

Këto komente, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i ka bërë pas vizitës që ka pasur këtë të shtune në Gllogjan të Deçanit, tek Nasim Haradinaj, ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili është liruar të enjten nga Gjykata Speciale.

Ali Ahmeti dhe Nasim Haradinaj

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti tha se është rikthyer në Gllogjan “për tu çmallur me shokun dhe bashkëluftëtarin e liruar nga Haga, Nasim Haradinajn”.

“Padrejtësia ndaj luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe betejës për jetë, liri dhe demokraci të popullit të Kosovës po zgjat tashmë dy dekada e gjysmë si asnjë rast tjetër”, shkroi kryetari i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Ahmeti, i cili ka qenë një ndër themeluesit e UÇK-së, theksoi se “rruga jonë për liri ishte e vështirë dhe e gjatë, ndërsa konfirmimi i drejtësisë së përpjekjeve tona, pas të cilave u reshtua edhe NATO, Brukseli dhe Uashingtoni, akoma vazhdon”.

“Hashimi, Kadriu, Jakupi, Rexha dhe luftëtarët tjerë të lirisë janë ndërgjegjja jonë kolektive si popull dhe beteja e tyre për drejtësi është vazhdimësi e luftës tonë për liri”, shtoi.

Më 14 dhjetor, është liruar nga burgu ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Lirimi i tij është bërë me vendim të presidentes së Dhomave të Specializuara, Katarina Trendafilova.

Në vendimin e Speciales thuhet se pasi është shqyrtuar tërësia e informacionit që i është paraqitur, përfshirë raportin, është vendosur për lirimin e Haradinajt.

“Për marrjen e vendimit, kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti  me z. Haradinaj”.

“Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të z. Haradinaj, kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga administratorja në lidhje me sjelljen e z. Haradinaj në objektin e paraburgimit”.

Sipas Speciales, Haradinaj ka “reflektuar” për veprimet e tij gjatë kohës sa ndodhej në paraburgim.

“Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat z. Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij”.

“Konkretisht, kryetarja konstatoi se z. Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit. Gjithashtu, kryetarja mori parasysh pendesën e z.Haradinaj”.

Ndërsa, nga Specialja është thënë se ai është zotuar që t’i përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara.

“Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se z. Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thuhet në njoftim.

Lirohet Nasim Haradinaj

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore