Shqipëria

Agron Shehaj shpall kandidaturën për kryetar të PD-së


Një nga deputetët më prolifik të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kujtojmë që në përfundim të numërimit të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, Agron Shehaj u rendit i dyti për numër votash pas kryetarit Lulzim Basha, me 13 mijë e 852 të tilla.

Më herët, të premten e 21 majit “Grupi për PD” paraqiti dy kandidatura për kryetar partie. Atë të Edith Harxhit dhe Ibsen Elezit. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka dorëzuar i pari zyrtarisht në selinë blu, kandidaturën e tij për kryetar të Partisë Demokratike.

Deklarata në Facebook

Në statusin e shkruar në platformën Facebook ai ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë, parimore dhe frymëzuese.

“Shqipëria ka sot nevojë për Partinë Demokratike!”, shkruan Shehaj.

Sakaq ai deklaron se përballë autokracisë, korrupsionit dhe paaftësisë së qeverisë, ne, referuar grupit të reformuar, do të ndërtojmë alternativën e lirisë, ndershmërisë dhe aftësisë.

Shehaj mendon se për këtë duhen energji të reja, vizion i ri, drejtim i ri. “Me ketë bindje”, shton ai, “kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime”.

Ai nuk e sheh konkurimin si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur.

Shehaj beson se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson.

“Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur”, shkruan më tej ai.

Shehaj beson se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërsëritjes së të njëjtave gabime. Ai shkruan se do ta shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që i kanë besuar e nxitur për të marrë përgjegjësinë e garës.

“Unë kam hyrë në politikë për të punuar për njerëzit, jo për t’u pasuruar dhe nuk do ju zhgënjej”, e mbylli deklaratën Shehaj.

Deklaratat e kandidatëve të tjerë

Shehaj i është bashkangjitur kandidaturës së Edith Harxhit, Ibsen Elezit dhe Fatbardh Kadillit për kryetar të Partisë Demokratike.

Harxhi në një deklaratë për mediat u shpreh të premten e 21 majit se synimi i kësaj kandidature është rikthimi i idealeve në PD.

“Shpresojmë që PD të rikthehet në vlerat e konkurrencës së barabartë dhe transparencës. Ky është moment mjaft i vështirë për Shqipërisë që vjen pas humbje së zgjedhjeve. Ajo çfarë ofrojmë është reformim i thellë i PD mbi idealet”.

Fatbardh Kadilli në një deklaratë për mediat, fill pas dorëzimit të kandidaturës u shpreh se ky “është një moment shumë i rëndësishëm në PD”.

“Ndihem shumë herë më superior sesa kryetari që është në zyrë. Vij në këtë garë për t’u përfaqësuar nga vlera, pastërtia, zotësia, për të qenë besnik. Jam njeriu që mban fjalën, që kam kontribuar në PD, nuk kam tradhtuar PD-në as nuk do e tradhtoj”, theksoi ai.

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore