Shqipëria

Agron Shehaj: Nëse do jem kryetar i PD-së, nuk ka qeverisje me PS-në


Agron Shehaj ka dalë në një konferencë për mediat të hënën e 24 majit, pas shpalljes së kandidaturës së tij për kryetar të Partisë Demokratike (PD).

Në deklaratën e tij të parë zyrtare si kandidat, ai u shpreh se PD-ja duhet të ndryshojë sot, në mënyrë që të mos humbasë përsëri në 2025.

Sa i përket kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Shehaj e quajti këtë të fundit “të korruptuar dhe antidemokratik”.

Sipas tij, “përballë Edi Ramës duhet të jetë një njeri krejt ndryshe nga ai. Një njeri i pakorruptuar që të jetë dhe të duket i tillë”.

Gjatë fjalës, në rast të një fitoreje, ai ka deklaruar me bindje se nuk do të ketë një bashkëqeverisje me Partinë Socialiste.

Ndërsa, sa i përket çështjes së shpalljes persona non grata të Sali Berishës nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Shehaj u ndal te kontributi i tij dhe nuk preferoi të bënte asnjë koment mbi këtë zhvillim.

Kritikat dhe kundërshtitë në parti

Shehaj tha se mbetet i hapur ndaj kritikave dhe kundërshtive në Partinë Demokratike.

“Mendoj se një kandidat i PD-së nuk mund të distancohet nga partia nominalisht. Sa më shumë vota të kishin grumbulluar kandidatët, aq më mirë do të ishte dhe për rezultatin final të partisë”.

Kandidati për kryetar të PD-së u ndal edhe te rezultati i zgjedhjeve të 25 prillit 2021.

“Për mendimin tim”, tha ai, “duhet të ishte në favor të atyre që korrnin më shumë sukses. Pra, në zhvillim të meritokracisë”.

Për Lulzim Bashën  

Në fjalën e tij, Agron Shehaj shprehu bindjen se Lulzim Basha nuk e çon dot PD-në në pushtet.

Ai theksoi se, “nëse PD-ja do të fitojë zgjedhjet, duhet që patjetër të ndryshojmë lidershipin e saj”.

Gjithashtu, ai është i mendimit për një reformim të PD-së, “me përfshirjen e të rinjve dhe të vjetërve brenda anëtarësisë”. “Vetëm kështu”, u shpreh Shehaj, “mund të fitohen zgjedhjet”.

Sipas tij, kandidimi i tij nuk është një përpjekje për të marrë një post, por fillimi i ndryshimit të PD-së.

Partia Demokratike, për Shehajn duhet të ndryshojë sot që të jetë e mundur të ndryshojë Shqipërinë nesër.

Zgjedhjet e 13 qershorit në kryesinë e PD-së

Sakaq, Shehaj shton se më 13 qershor nuk do të zgjidhet vetëm kryetari i ri, por do të vendosin nëse duan të fitojnë ose humbasin prapë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Më 13 qershor, anëtarët e PD-së nuk do të zgjedhin thjesht kryetarin e ri, por do të vendosin nëse do të fitojnë apo të humbasin prapë në 2025”.

Ai shton se ai ka ndershmërinë, përvojën dhe aftësinë për ta çuar PD-në drejt rrugës së fitores.

Në përmbyllje të deklaratës së tij, sa i përket djegies së mandateve, Shehaj tha se ka qenë kundër, edhe pse nuk ka dalë zyrtarisht me një qëndrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore