Lajme

AGK-ja: Dënojmë ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.

“AGK-ja e dënon ashpër sulmin e rëndë fizik ndaj Valon Sylës – kërkon hetime urgjente”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, nga AGK-ja potencojnë se “gazetari njëherësh drejtuesi i Gazeta Metro, është sulmuar fizikisht, të hënën në mbrëmje nga tre persona, të cilët dyshohet se e kanë përcjellë atë nga studio e T7, ku ishte i ftuar në debat, deri në lagjen Bregu i Diellit, në Prishtinë”.

“Gazetari Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, teksa sipas deklaratave të tij të para për mediet, ka pësuar lëndime në kokë”.

Ndërsa, ata nënvizojnë se rasti është hapur në Policinë e Kosovës.

“Ky sulm për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës është krejtësisht i papranueshëm dhe përpjekje serioze për të penguar dhe minuar lirinë e shprehjes dhe lirinë e medies në Kosovë”.

Ndërkaq, nga AGK-ja i bënë thirrje të gjitha institucioneve kompetente “që të marrin masat e duhura që urgjentisht të arrestojnë personat përgjegjës për sulmin dhe që ata të vihen para drejtësisë”.

Ndryshe, gazetari dhe analisti politik, Valon Syla, në mbrëmjen e së martës është sulmuar nga disa persona.

Sulmin e ka konfirmuar edhe vetë Syla.

Ndërsa, raportohet se Syla ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po trajtohet për lëndimet e marra pas sulmit.

Ai ishte ishte pjesë e një debati në Televizionin 7 në lidhje me gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është sulmuar pak minuta pasi që ka dalë nga studioja.

Tre persona e kanë përcjell atë deri te Bregu i Diellit, ndërsa sulmi ndaj tij ka ndodhur para lokalit të quajtur “Image”.

Ndryshe, pas sulmit të gazetarit, Valon Syla, ka pasur reagime nga shumë personalitete publike, të cilët e kanë dënuar këtë akt të tmerrshëm.

Njëri nga ta ishte edhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili e konsideroi si akt qyqar dhe tha se “kërkoj nga autoritetet përkatëse që të ndjekin ligjin dhe të arrestojnë autorët e këtij sulmi”.

“Sulmi i raportuar ndaj gazetarit Valon Syla është një shembull i tmerrshëm i mungesës së respektit dhe tolerancës ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes në shoqërinë tonë. Nëse nuk respektojmë dhe nuk mbrojmë lirinë e shtypit, nuk mund të kemi një shoqëri të lirë dhe të drejtë”, tha ai.

Po ashtu, për rastin ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Çitaku deklaruar se kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë.

“Valon Syla ka të drejtë të pakontestueshme me e thanë mendimin. Me ngritë pyetje. Me ngritë dilema. Valoni ka të drejtë me thanë ama bash çka të dojë e besojë. Kushdo që sulmon tjetrin për fjalën e shprehur e mendimin e thënë është i mjerë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore