Lajme

Adoleshentja vdes pas sulmit nga peshkaqeni në Australi


Një vajzë 16-vjeçare ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi u sulmua nga një peshkaqen në Australinë Perëndimore.

Ngjarja ndodhi në Fremantle, një periferi e qytetit Perth, kur vajza mendohet se po zhvillonte aktivitetin e “jet ski” në lumin Swan, i cili e përshkon qytetin mes përmes.

Sipas autoriteteve, vajza adoleshente mund të ketë dashur të notonte me delfinët, të cilët i kishte parë aty pranë.

Por, fatkeqësisht, ajo është përballur me një sulm peshkaqeni, në një ngjarje, e cila nga ata të cilët ishin të pranishëm aty, u quajt “traumatike”.

Plazhet e zonën janë mbyllur menjëherë pas ngjarjes dhe të gjithë njerëzve u janë dhënë udhëzime, mbi si të sillen në të tilla rrethana, përtej faktit se ata duhet doemos të respektojnë të gjitha rregullat e vendosura momentalisht.

Prania e peshkaqenëve në këto ujëra është krejtësisht e pazakontë, sipas edhe peshkatarëve të zonës dhe ky sulm, është i pari i regjistruar që prej vitit 1923, kur një 13-vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi një peshkaqen e sulmoi.

Në Australi, çdo vit regjistrohen rreth 20 sulme peshkaqenësh ndaj njerëzve, kryesisht në zonat jugore.

Pavarësisht kësaj, koeficienti i vdekshmërisë është vetëm 0.9, që do të thotë më pak se një vdekje në vit, prej sulmeve nga peshkaqenët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore