Shqipëria

Abuzuan me tenderin e kanalit vaditës, GJKKO lë në fuqi masën “arrest me burg”, për 2 zyrtarët e Bashkisë Lushnjë


Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar, të enjten e 16 dhjetorit ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest me burg” për ish-nënkryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Gentian Nushi dhe drejtorin e Prokurimeve Juridike, Leonard Sefën.

Të dy zyrtarët nuk kanë dhënë sqarime para trupës gjykuese. Ata akuzohen për ”shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tender”.

Nushi dhe Sefa janë disa nga zyrtarët e arrestuar të Bashkisë Lushnjë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për tenderin me vlerë 24 milionë lekë, për ndërtimin e kanalit vaditës.

Nga ky hetim i nisur në vitin 2020 është arrestuar edhe kryebashkiaku Fatos Tushe dhe disa zyrtarë të tjerë.

Ndërkaq më 21 dhjetor Gjykata Kushtetuese ka caktuar si datë mbajtjen e seancës për të vendosur “fatin” e ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushes.

Tushe ka ankimuar pranë kësaj Gjykate shkarkimin nga detyra. Fill pas arrestimit më 6 korrik me vendim të Këshillit të Ministrave ai u shkarkua nga detyra.

Akuzat për të arrestuarit

Fatos Tushe, me detyrë Kryetar i Bashkisë Lushnjë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim.

Flamur Peqini, me detyrë drejtor i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnjë i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti shpk, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikim i dokumenteve” kryer në bashkëpunim.

Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb shpk, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “falsifikim i dokumenteve kryer në bashkëpunim”.

Gazmend Çela, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Bektash Nexha, zyrtar i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Blerta Turku, zyrtare e Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë e Lushnjës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore