Kosova

Abdixhiku: Synojmë shmangien e zgjedhjeve të reja, të shtunën vendosim nëse do e përkrahim Osmanin për presidente


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ky subjekt politik do të vendosë të shtunën nëse do të përkrahë Vjosa Osmanin për presidente të vendit.

“Të shtunën kemi konsolidimin e kryesisë dhe aty do të marrim vendimin. Ajo çfarë ne synojmë është të shmangim zgjedhjet, të formojmë institucionet demokratike”, tha Abdixhiku në konferencën për medie.

Gjatë takimit të tij më zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, Abdixhiku ka treguar se në këtë takim është diskutuar për çështjet e rëndësisë së veçantë jo vetëm mbipartiake por edhe të relacioneve të shqiptarëve të Kosovës me ata të Maqedonisë së Veriut.

“U njoftova për procesin e regjistrimit të popullsisë atje dhe nga këtu dua t’iu bëj thirrje të gjitha degëve dhe strukturave të LDK-së që janë në diasporë që të ndihmojnë në këtë drejtim në mënyrë që të gjitha kapacitetet tona partiake t’i drejtojmë në këtë drejtim”, ka thënë Abdixhiku.

Ai tutje ka theksuar se bashkëpunimi me partitë shqiptare në rajon është i domosdoshëm për relacionet në të ardhmen.

Ndërsa Grubi në këtë konferencë tha se LDK-ja e ka mbështetur atë rreth procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Më inkurajoi mbështetja e LDK-së në regjistrimin e popullsisë dhe kjo gatishmëri na inkurajon që çdo qytetarë të regjistrohet dhe veçmas ata të diasporës, prandaj jam këtu në Prishtinë që të kërkoj ndihmën e të gjithë liderëve me projekte të përbashkëta”, ka thënë ai.

Po ashtu, edhe kryeministri në detyrë, Avdullah hoti, në një konferencë për medie ka thënë se nuk do ta bllokojnë formimin e institucioneve mirëpo as nuk do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.

“Ne nuk votojmë asnjë president ne jemi parti opozitare. I takon shumicës të bëjë konsultime për ta zgjedhur presidentin. Presidenti i vendit duhet të jetë jo politik”, tha Hoti.

Po ashtu, edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votimin e Vjosa Osmanit për presidente dhe se qëndrimi i PDK-së është i qartë për mos votimin e Osmanit.

“Për çështjen e zgjedhjes së znj. Osmani si presidente e vendit, ne si PDK nuk e mbështesim kandidaturën e saj, nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim”, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për medie.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet me 22 mars. Për konstituimin e këtij organi duhen më së paku 61 vota nga 120 deputetë sa ka kuvendi. Me shumicë të thjeshtë mund të zgjidhet edhe Qeveria e Kosovës.

Ndërsa për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës duhet të ketë 80 deputetë prezentë në sallën plenare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore